15.5 C
Tirana
Tuesday, September 21, 2021
KryefaqjaAktualitetPse në këtë kohë vendimi për Berishën? Zyrtari i DASH: Sekretari Blinken...

Pse në këtë kohë vendimi për Berishën? Zyrtari i DASH: Sekretari Blinken tani ka “informacion të besueshëm për përfshirjen e tij në korrupsion”

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit i përgjigjet pyetjes së gazetës “Illyria” se pse një vendim i tillë është marrë pikërisht në këtë kohë

Nga Ruben Avxhiu

Departamenti i Shtetit qendron pas vendimit për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Vendimi i njoftuar sot nga vetë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka tronditur opinionin publik në Shqipëri, ndonëse sinjalet të pakonfirmuara kanë qarkulluar prej disa vitesh tashmë për politikanë e zyrtarë të ndryshëm shqiptarë. Mirëpo, në debatet publike dhe deklaratat zyrtare ka qenë e vështirë të dalloje spekullimet e thashethemet nga shenjat e besueshme.

Një nga pyetjet kryesore që kanë qarkulluar në reagimet e njerëzve është se pse një vendim i tillë vjen pikërisht tani.

I pyetur nga “Illyria”, gazeta shqiptaro-amerikane në New York, se pse një vendim i tillë vjen në këtë kohë, një zyrtar i Departamentit të Shtetit u shpreh se tani, Sekretari i Shtetit ka në dispozicion “informacion të besueshëm lidhur me përfshirjen e Berishës në korrupsion të ndjeshëm dhe përpjekje për të ndërhyrë në proceset publike si dhe shpërdorim të fondeve publike në Shqipëri”.

Vetë Sali Berisha, figura historike e Partisë Demokratike, tashmë i tërhequr nga drejtimi aktiv i partisë, është përgjigjur me një shënim në Facebook, ku hedh poshtë akuzat, radhit sukseset e kohës kur ishte në krye të qeverisë, lavdëron miqësinë me Amerikën dhe fton Sekretarin që të tregojë me fakte korrupsionin e tij.

“Duke shprehur keqardhje per vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi”, shkroi veç të tjerash, Berisha, në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Mirëpo, zyrtari në fjalë, i cili preferoi të mos identifikohej me emër, i tha gazetës “Illyria”, se qeveria e Shteteve të Bashkuara po e bën të qartë se nuk do të angazhohet me individë të korruptuar si Berisha” që të mos përfitojnë mbështetje dhe kredibilitet.

Ai e cilësoi ish-kryetarin e PD-së si “një individ për të cilin Sekretari i Shtetit është qartësuar se ka kryer akte korrupsioni në kurriz të popullit shqiptar”. (Illyria)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

LAJMET E FUNDIT



ZEMRA E TIRANES