16.5 C
Tirana
Friday, September 24, 2021
KryefaqjaAktualitet“Frankenshtajn politik”: Propozimet e opozitës me taksat djathtas dhe shpenzimet majtas

“Frankenshtajn politik”: Propozimet e opozitës me taksat djathtas dhe shpenzimet majtas

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë ka hedhur “poshtë” dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për projektligjin për disa ndryshime “Për taksat kombëtare”, duke i cilësuar pretendimet e Presidentit si opozitare dhe jo të bazuara në Kushtetutë.

Sipas Bushatit, Presidenti po sillet një përfaqësues i opozitës, dhe dekretet e tij nuk mund të merren në diskutim.

“Dekreti presidencial që na vjen sot, është në vazhdën e disa dekreteve që ka sjell Presidenti i vendit me koncept opozitar. Ajo që shohim në dekretin e Presidentit sot, por dhe në të tjera që na ka sjell më herët Presidenti, s’ka të bëjë me Kushtetutën, por ka të bëjë me një koncept politik që nuk i takon Presidentit të Shqipërisë ta shqyrtoj”,- tha Bushati.

“Nëse Presidenti do të sillte këtu dekrete që kanë të bëjnë dhe flasin për interesin e Shqipërisë, si Republikë Parlamentare, si Republikë e Shqipërisë do të shqyrtoheshin, por ajo që ndodh është se dekretet na vijnë në frymë opozitare dhe Presidenti në vend që të jetë President i Republikës së Shqipërisë është si Presidenti i LSI”.

“Ne,- shtoi Bushati,- kemi dëgjuar në të gjitha rastet ekspertizat e Presidencës dhe na vjen keq që harxhojmë kohën dhe shtyjmë në kohë hyrjen në fuqi të gjitha këtyre pr/ ligjeve të hartuara nga një mazhorancë e votuar nga qytetarët për t’i përfaqësuara ata në parlament dhe që shtyhen për arsye opozitare”,- deklaroi Bushati.

Sipas tij, qeveria ka ndërmarrë nisma të rëndësishme për t’i qëndruar afër biznesit në këtë periudhë të vështirë, si pasojë e pandemisë dhe tërmetit.

“Pika e dytë që sot po shqyrtohet është ndihma ndaj biznesit në këto kohë pandemie. Janë më shumë se 11 pika që janë vënë në funksion të biznesit shqiptarë, biznesit të mesëm dhe të madh apo dhe të vogël për ta ndihmuar në këtë krizë dhe në këtë periudhë pas tërmetit dhe pas pandemisë”,- tha Bushati.

“Shtyrja e afateve të deklarimit të pagesës së tatim fitimit në maj 2020, përjashtimi i pagesë së taksës ndikimit në infrastrukturë, investimet në kuadër të programit të rindërtimit, të gjitha kanë qenë masa për të ndihmuar ekonominë shqiptare. Masa që u morën në një vit të vështirë, ku qeveria u përpoq me të drejtë për të ndihmuar biznesin shqiptarë nën efektet e pandemisë dhe të gjithë shkatërrimeve të ardhura nga tërmeti 26 nëntorit”,- deklaroi Bushati.

Duke folur për premtimet e opozitës, Bushati i cilësoi si” Frankenstein” politik në tramvajin elektoral të një opozite të dal kohe.

“Premtimet boshe të opozitës në këto kohë janë pa sens politik. Premtimet e opozitës kanë hyrë në tramvajin elektoral të zotit Basha dhe nuk sjellin asnjë risi për ekonominë shqiptare. Ajo që shikojmë është një tufë premtimesh elektorale, që nga ana e taksave janë të djathta, por nga ana e shpenzimeve janë të majta. Kjo çorbë elektorale, që ka taksim të djathtë dhe shpenzim të majtë, nuk bënë sens ekonomik”,- tha Bushati.

“Më vjen keq që para qytetarëve shqiptarë, bizneseve shqiptare, po sillet një amalgam politikash që nuk bëjnë sens ekonomik. Nëse një forcë nga opozita, apo dy forca opozitare detyrohen të shkrihen me forcë për arsye elektorale, kjo s’do të thotë se qytetarëve duhet ti ofrojnë programe apo premtime elektorale, që gdhihen si të djathta e ngrysen si të majta. Premtime që janë pa sens ekonomik në vetvete, ku s’ka në thelb asnjë orientim të majtë apo të djathtë, apo të qendrës për sa i përket ekonomisë”,- deklaron Bushati.

“Nëse PD e LSI duan që të hynë në zgjedhje si një forcë, se në fakt nuk janë një forcë, mënyra që kanë zgjedhur për të shkrirë me forcë programet e tyre, kanë bërë që të kemi një “Frankenstein” politik, një “Frankenstein” ekonomik që nuk bënë sens. Ndaj qytetarët shqiptarë e dinë shumë mirë, që në këto ditë të vitit 2021, kur ne përballemi më pandeminë, kur përpiqemi të dalim nga efektet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, oferta të tilla janë një tramvaji dëshirash, të cilave u ka ikur prej kohësh stacioni ku mund të zbrisnin, dhe që vetëm e dëmtojnë ekonominë shqiptare dhe në fund të ditës do ketë një pasojë dëmi edhe politikë. Kjo sepse shkrirja me dhunë e programeve politike, ku taksimet janë të djathta, ndërsa shpenzimet e majta, dëmtojnë jo thjesht opozitën, por dhe diskutimet politike në të ardhmen dhe për biznesin dhe shoqërinë shqiptare”,- përfundoi Bushati.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

LAJMET E FUNDIT



ZEMRA E TIRANES