15.5 C
Tirana
Tuesday, September 21, 2021
KryefaqjaKryesoreBushati: Rindërtimi, motorri turbo i ekonomisë në 2021

Bushati: Rindërtimi, motorri turbo i ekonomisë në 2021

“Rindërtimi do të jetë motorri turbo i ekonomisë në 2021”. Deputeti dhe kryetari i Partisë Socialiste në Tiranë, Ervin Bushati, në një intervistë për ATSH, thekson se, që prej orëve të para pas tragjedisë dhe kapërcimit të fazës së emergjencës, Partia Socialiste e Tiranës, Qeveria, bashkitë e prekura nga tërmeti kanë punuar natë ditë për të vënë në jetë Programin Kombëtar të Rindërtimit.

“Ky Program historik për Shqipërinë është unik edhe sa i takon menaxhimit të fatkeqësive të tilla nga vende të zhvilluara, ku ende sot nuk janë sistemuar familjet e prekura nga tragjedi me pasoja akoma më të rënda. Ajo që duhet thënë sot, një vit më pas, është se ndihemi krenarë për bilancin pozitiv në vetëm 365 ditë ku ne kemi qenë në krye të punëve për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e çdo shtëpie të dëmtuar. U kemi qëndruar pranë të gjitha familjeve në nevojë, duke u ardhur në ndihmë në çdo mënyrë dhe në çdo zonë të prekur nga tërmeti. Duhet të kujtojmë se, si në asnjë rast të mëparshëm, e paprecedentë edhe për vende europiane, me qindra qytetarë ende të traumatizuar nga lëkundjet e njëpasnjëshme të ditëve të tërmetit, të mbetur pa strehë, apo të pasigurt për tu rikthyer në banesat e tyre, u akomoduan menjëherë në struktura hoteliere. Suporti i qeverisë ka qenë maksimal, duke iu gjendur pranë dhe lehtësuar sadopak dhimbjen, sidomos ndaj atyre që humbën anëtarë të shtrenjtë të familjes”, tha ai.

Bushati tha se, “pas tejkalimit të emergjencës, për secilën familje që mbeti pa një çati u vendos një bonus qeraje, i cili do të vijojë të jepet nga çdo bashki deri ditën kur të gëzojnë shtëpinë e re.”

“Ndërsa për të gjitha familjet e tjera me dëme të riparueshme janë dhënë grantet e rindërtimit, në mënyrë që asnjë i dëmtuar të mos mbetej pa mbështetje në këtë proces. Për herë të parë për një vend si Shqipëria, falë planit operacional të qeverisë për ringritjen dhe ripërtëritjen pas tragjedisë, u solidarizuan dhe aktivizuan vende nga e gjithë bota. Në Bruksel flamuri shqiptar bëri “Bashkë për Shqipërinë”, të gjitha shtetet e Komisionit Europian. Në finale Konferenca e Donatorëve e mbledhur posaçërisht për t’i ardhur në ndihmë vendit tonë, akordoi një shumë prej 1.15 miliardë eurosh, në formë grantesh, projektesh dhe huash të grumbulluara për Rindërtimin e Shqipërisë”, tha ai.

Në vijim, Bushati shtoi se përgjatë gjithë këtij viti puna për rindërtimin, e cila duhet thënë se pati jo pak pengesa edhe për shkak të situatës së pandemisë, por pa u ndalur as në ditët e vështira të izolimit, ka ecur me ritme të paimagjinueshme.

“Proceset, të cilat marrin po ashtu kohën e tyre, që nga vlerësimi i dëmeve, regjistrimi i tyre, si dhe procedurat e tjera administrative, kanë avancuar shpejt. Sot jemi në fazën ku i kemi të gjitha kantieret e hapura, në të 11 bashkitë e prekura me 36 mijë familje të dëmtuara, nga të cilat 8 mijë janë DS4, DS5”, tha ai.

Më tej, Bushati deklaroi se “procesi i rindërtimit të banesave individuale është dhe ai që ka nisur i pari dhe vijon duke përmbushur të gjitha pritshmëritë, pasi objektivi ishte që këto familje të merrnin çelësat e shtëpive të reja përpara Vitit të Ri dhe kështu po ndodh në Tiranë, në Durrës, në Fushë Krujë, Krujë, Thumanë, e kudo. Edhe në ato shtëpi të papërfunduara ende, puna po ecën me shpejtësi që brenda vitit të gjithë të kenë shtëpinë e tyre edhe më të forta dhe me kushte më të mira se ajo që kishin para tërmetit”.

Gjithashtu, Bushati tha se procesi i Rindërtimit të banesave kolektive është në rrugën e duhur.

“Në Tiranë është hapur kantieri në lagjjen “5 Maji”, (Tirana Riverside) ku do sistemohen 11 mijë banorë. Kjo zonë do të transformohet në një qendër policentrike të Tiranës me një qasje të re të zhvillimit urban, ekonomik dhe social. Në të janë parashikuar të transferohen institucione të rëndësishme, si Drejtoria e Doganave, Tatimeve, Hipoteka, ALUIZNI, etj. Ndërsa lagjja e re e Kombinatit, e quajtur ndryshe “KombinArt”, do akomodojë rreth 21 mijë banorë, por do të ketë pas rindërtimit edhe institucione të reja arsimore. Risi janë institucionet e artit dhe kulturës të cilat do t’i japin një jetë të pasur kulturore gjithë kësaj zone. Në të dy këto lagje të reja, me të cilat do të vendoset një tjetër standard urbanizimi në Shqipëri, filozofia është që të ketë jetë 24 orë, jo vetëm rezidenciale, por edhe me interaktivitet social, falë shërbimeve por dhe jetës kulturore artistike pas përfundimit të këtij procesi”, tha ai.

Lidhur me rindërtimin e institucioneve arsimore, Bushati tha se janë 143 shkolla që do të rindërtohen nga e para në të gjithë vendin, nga të cilat 34 vetëm në Tiranë.

“Rindërtimi i shkollave ka marrë dhe fokusin më të madh, pas ringritjes së banesave në këtë proces. Në qytetin e Tiranës po ngrihen aktualisht nga e para 17 shkolla. Synimi është që ato të jenë gati brenda muajit mars, që nxënësit të ulen në banka për semestrin e dytë të vitit arsimor. Zgjerimi i kapaciteteve dhe hapësirave të tyre shkon përshtat edhe me situatën e pandemisë, pasi krijon mundësinë e klasave me më pak nxënës, standard ky që plotësohet me të gjitha shkollat e reja që po rindërtohen”, tha ai.

Për sa i përket mbështetjes buxhetore, Bushati tha se Rindërtimi do jetë motorri turbo i Ekonomisë në vitin 2021.

“Këtë vit janë dhënë nga buxheti për Programin e Rindërtimit plot 36 miliardë lekë. Ndërsa në buxhetin e shtetit për vitin 2021 rindërtimi do të marrë një mbështetje prej 28 miliardë lekësh. Shumë prej projekteve pjesë e këtij Programi do t’i japin një hov të ri dhe vetë zhvillimit të ekonomisë, e cila pritet të rimëkëmbet pas një viti të vështirë që kaluam, si nga pasojat e tërmetit, ashtu edhe nga epidemia e Covid 19. Projeksionet për rritjen ekonomike vitin e ardhshëm janë mjaft pozitive, ku pritshmëritë tona janë që rritja të kalojë nivelin 5.5% të PBB”, tha Bushati.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

LAJMET E FUNDIT



ZEMRA E TIRANES