Pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt si në Nagorno Karabak, nëse përpjekjet për paqe dështojnë, zyrtarë të NATO-s janë shprehur se dialogu është zgjidhja e vetme politike që garanton stabilitet në rajon.
“Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor,” tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.
“Misioni i KFOR-it [në Kosovë], i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit nga Kombet e Bashkuara, për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë,” shtoi ai.