Kryeministri i vendit, Edi Rama ndodhet në Berlin, ku edhe ka zhvilluar një takim me kancelaren Angela Merkel.
Në këtë takim, ashtu siç deklaroi edhe vetë kreu i qeverisë, u fol lidhur me Konferencën e Donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt si edhe lidhur me përpjekjet për çeljen e negociatave.
‘Ndodhem këtu për të folur për Konferencën e Donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e rindërtimit’, shprehu Rama.
Më tej kryeministri shtoi se raporti i dëmeve që po përllogaritet nga BE, OKB dhe Banka Botërore, përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetëm.
Në fjalën e tij Rama falënderoi kancelaren për solidaritetin e treguar nga Gjermania dhe jo vetëm.
Nga ana tjetër kancelarja Merkel deklaroi se po bën përpjekje që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të ecin drejt hapave të BE-së tashmë.
“Ne duam që këto dy shtete të shkojnë drejt BE-së dhe duam që të arrijmë një marrëveshje në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së në mars për të filluar çeljen e negociatave me Shqipërinë, si edhe me Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet e kanë merituar. Këtë qëndrim e kemi pasur edhe në takimin e kaluar dhe tani do të punojmë me forcë që në mars të arrijmë rezultatin e dëshiruar. Nuk është vetëm në interes të këtyre vendeve por edhe në interesin tonë që këto vende të afrohen me BE-në”, theksoi së fundmi Merkel.
‘Zemra e Tiranës’