Zgjedhjet/ Deputeti Ervin Bushati: Partia Socialiste do të fitojë një mandat të tretë, do të bëjmë edhe më shumë për Shqipërinë

Bleona Hoxha
Read Time5 Minutes, 40 Seconds

Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën Ervin Bushati, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se nuk ka asnjë diskutim që në zgjedhje, PS do të fitojë një mandat të tretë.

“PS është organizata më e madhe në Shqipëri, si një familje me mbi 100 mijë anëtarë. Dominon jetën politike dhe pretendon për të qenë parti e parë. Ne nuk e kemi problemin që jemi parti e parë apo jo, por kemi si sfidë që të marrim një mandat të tretë me Partinë Socialiste. Ne duam që të marrim mandat të vetëm për të arritur shumë. Shqiptarët e kanë të qartë se gjithçka nuk arrihet me një mandat”, tha Bushati.

Bushati theksoi se PS ka bërë shumë punë në këto vite, ndërsa shtoi se vendi i parë është i rezervuar për forcën politike në pushtet.

“Unë e di se është e vështirë që të kërkosh votën pas 2 mandatesh në qeverisje, por ne duam dhe do ia dalim të jemi forcë e parë. Ne po krijojmë shtet ligjor, ekonomi tregu. Kemi bërë shumë në këto vite. Kemi pasur një vit të vështirë, me pandemi dhe me tërmete, por ia kemi dalë. Ne kemi shumë për të treguar, por edhe për të bërë. Ka gjithmonë punë më shumë për të bërë. Kemi vërtetuar se kemi ekipin më të mirë, programin më të mirë, për të bërë Shqipërinë një vend më të mirë. Tirana është kryeqyteti i vendit dhe patjetër që të gjithë kanë sytë nga kryeqendra. Ne kemi investuar edhe në Tiranë, por me Rilindjen Urbane ne kemi investuar në Vlorë, në Korcë etj, duke u kthyer në vende atraktive.

Ne duam që Tirana të bëhet kryeqytet europian, e patjetër të bëhen edhe qytetet e tjera. Kryeministri Edi Rama ka bërë ndryshimin për Tiranën dhe premton ndryshimin e Shqipërisë. Kemi nisur reformën në drejtësi dhe një sërë reformash të tjera, që duam t’i dërgojmë përpara. Alternativa nga ana tjetër nuk është vitale, aq më tepër që ka pasur shansin dhe nuk ka bërë gjë. Vendi i parë mendoj se është i sigurt për PS, ndërsa garën e kanë të hapur për vendin e dytë”, u shpreh Bushati.

Më tej, Bushati tha se nën qeverisjen e PS-së, ekonomia ka ecur me hapa të shpejtë. Sipas tij, nuk duhet pasur aspak frikë nga borxhi, pasi ai do të shlyhet.

“Ekonomia shqiptare ka ecur shumë mirë. Shqipëria del në tregjet ndërkombëtare dhe ka marrë normat më të ulëta në histori. Të gjitha parametrat ekonomikë kanë qenë shumë të mirë. Patjetër që ka qenë një vit i vështirë për të gjithë botën edhe për ata që kanë krijuar tregun modern.  Kjo ishte Lufta e Tretë Botërore për këtë brez, sepse efektet ekonomike kanë qenë të rënda. Shqipëria po vazhdon të qëndrojë bashkë si shtet e si shoqëri. Nuk duhet të kemi frikë nga borxhi, në të gjitha vendet e botës, sot borxhi po rritet. Shëndeti i ekonomisë ka shumë rëndësi. Çdo shtet po bën gjithçka që të mbajë shëndetëshëm ekonominë. Borxhi do të lahet, sepse arrihet me rritje ekonomike. Sot nuk duhet të kemi frikë nga borxhi. Pandemia shkaktoi probleme jo vetëm për ekonominë tonë”, tha ai.

Në lidhje me rindërtimet nga tërmeti, Bushati deklaroi se janë duke u bërë ndërtime të reja sipas standardeve më të mira europiane.

“Tërmetet kanë shkundur Shqipërinë, sigurisht. Por, qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë prezantuar plane, që janë për ndërtim të godinave europiane. Të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë, do të marrin banesa në këto projekte. Rindërtimet po bëhen me kompani me famë botërore. Rrugët e reja dhe ndërtimet e reja do jenë vërtetë të shkëlqyera. Këto ndërtime po i sjellin Tiranës një faqe të re”, vlerësoi Bushati.

I pyetur për koncesionet e dhëna nga Partia Socialiste, Bushati u shpreh se partneriteti publik- privat është një model që ndiqet edhe në vende të zhvilluara. Ai shtoi se çdo PPP korruptive e mundshme, të dërgohet në SPAK.

“Në çdo vend të botës kundërshtohet nga opozita. PPP funksionon në çdo vend të botës. Shumë koncesione janë dhënë edhe në kohën e Sali Berishës. Distancohem për çdo tender që është jashtë ligjit. Kjo është një opozitë komunale, që i kundërvihet çdo vepre që i bëhet. Opozita bën protestë për bulevardin, për Teatrin, për liqenin. Nuk kam parë që opozita të dalë të protestojë për Reformën në Drejtësi. Distancohem nëse ka skema abuzive me fondet publike. Sot drejtësia është e pavarur. Opozita ka dashur të pengojë reformën në drejtësi.

Ka lënë mandatet, që nuk ka ndodhur askund në botë. Nuk di të ketë opozitë që del nga parlamenti. Drejtësia e re ka nisur të marrë formë. Nuk është kapur nga politika. Kemi bërë ndryshime. Drejtësia jonë do të arrijë gjithçka që pritet. Në pushtet vihet me votë dhe jo me rrotë. I dukej Lulzim Bashës se do ishte kryetar bashkie e më pas kryeministër, por kjo nuk funksionon. Nuk është asgjë sot dhe nuk do të jetë asgjë nesër”, tha Bushati.

Ervin Bushati tha se Partia Socialiste është gati për çdo lloj teknologjie në zgjedhje.

“Ne jemi gati për çdo lloj teknologjie. Teknologjia, sistemi janë konvencione. Çfarë do sistemi të jetë një ekip është më mirë se një tjetër”, tha Bushati.

Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese për të cilat pati mosmarrëveshje, Bushati tha se maxhoranca i qëndroi marrëveshjes me opozitën jashtëparlamentare dhe atë brenda parlamentit. Sipas tij, kjo erdhi për shkak të votave.

“Kemi një marrëveshje që i qëndruam me opozitën dhe i qëndruam dhe asaj që kërkonte opozita në parlament. Nuk është e ndershme nga ana e opozitës jashtëparlamentare, ne kemi këto kushte, nuk i keni votat, gjejini si të doni. Çfarë po thotë t’i blejmë votat? Aty janë njerëz që kanë shkuar me firmën e Lulzim Bashës dhe Ilir Metës. Nëse ata nuk i njohin nuk është problem i PS. Si mund t’i detyrojmë njerëzit që janë në parlament?”, theksoi kreu u PS, Tranë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Rikthimi i kazinove, deputeti Bushati intervistë për mediat

Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën Ervin Bushati, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se nuk ka asnjë diskutim që në zgjedhje, PS do të fitojë një mandat të tretë. “PS është organizata më e madhe në Shqipëri, si një familje me mbi 100 mijë anëtarë. […]