“Vrasja” e votës së demokratëve

Editor
Read Time4 Minutes, 5 Seconds

Prej disa ditësh ka nisur fushata derë më derë e Partisë Socialiste në Njësinë nr. 8, dorë më dorë e zemër më zemër për të informuar qytetarët për punët e kryera gjatë katër viteve dhe ato që do kryhen në mandatin e ardhshëm. Gjithashtu, po i kushtohet vëmendje e plotë për problemet sado të vogla të çdo banori.

Takime që nuk bien shumë në sy, fushatë e thjeshtë e pa shumë bujë mediatike, Zemra e Tiranës po i jep shumë rëndësi njerëzve të zakonshëm mendimeve dhe këshillave të tyre. Nuk kanë qenë të pakta rastet e konsultimeve me banorët nga ku janë realizuar vepra në të mirë të komunitetit. Takime me të moshuar, të rritur e votues për herë të parë që shohin dhe prekin ndryshimet e arritura. Pavarësisht bindjeve politike një pjesë e madhe e banorëve të Njësisë nr.8 e pranojnë hapur se jeta e tyre është përmirësuar në këtë zonë.

Është edhe një pjesë tjetër e qytetarëve, të cilët historikisht kanë votuar për të djathtën dhe do vijojnë ta votojnë. Ata ndjehen të braktisur dhe të papërfaqësuar dhe kjo jo për fajin tonë, por për kapriçot e liderit (nëse mund ta quajmë kështu) demokrat. Shpesh, në takimet me këta qytetarë të nderuar dëgjohen fjalët: “Duam të votojmë”. Madje, në mungesë të kandidatit nga partia që ata kanë besuar deri më sot, ata janë interesuar edhe për kandidatët e tjerë për Tiranën, megjithëse punën e Bashkisë Tiranë në Zemër të Tiranës nuk mund ta hedhin poshtë.

Nga takimet e kryera deri sot kuptohet objektiviteti i banorëve të Njësisë nr.8 për investimet dhe qartësia për vazhdimësinë e projektit transformues. Pjesa që dhëmb më shumë është “vrasja” e votës së demokratëve. Me shumë mundësi vota e tyre do të mungojë, kjo për shkak të bindjes politike apo pakënaqësive, të cilat nuk duhen gjykuar, por pjesa dërrmuese nuk do të ketë mundësi të shprehet me votë për shkak të sjelljes amatoreske politike të opozitës.

Analizë modeste politike

Duke e nisur këtë argumentim nga fundi, ajo që kuptohet qartë është mungesa e shpresës së opozitës. Shpresës se mund të ofrojë më mirë se kundërshtari, shpresës se mund të fitojë zgjedhjet. Nga kjo pikë fillon i gjithë rrugëtimi politik i opozitës gjatë këtyre muajve. Në pamundësi për të treguar veten si alternativë e kryetarëve aktualë të PS, në pamundësi për të krijuar një program sado të thjeshtë, ndoshta edhe të kopjuar nga kundërshtari apo mashtruar publikun siç rëndomë ka ndodhur nga kryetari i PD Lulzim Basha kur premtoi tramvajin, korsitë e biçikletave (mjaftojë këto), opozita është e vetmja arsye pse një pjesë e mirë e qytetarëve nuk do të mund të votojnë.

Sigurisht, një humbje tjetër e kryetarit të PD (nuk po llogarisim LSI-në, pasi nuk mund të quhet parti politike), do të sillte edhe më shumë pakënaqësi tek demokratët, të cilët do të kërkonin në masë largimin e tij nga forca politike që zgjoi shpresën e shqiptarëve në vitin 1991.

Dëshira e madhe për të qëndruar në politikë dhe për të pritur radhën për tu bërë kryeministër (anashkalojmë frikën nga reforma në drejtësi), shtyjnë Bashën për të ndërmarrë veprime që nuk dëmtojnë as qeverinë, as Edi Ramën dhe as Erion Veliajn, por vetëm Partinë Demokratike, Shqipërinë dhe Shqiptarët. Lulzim Basha e ka të qartë që këto zgjedhje vendore nuk do të mund ti fitonte dhe mendon se do ti vijë radha për tu ulur në karrigen e kryeministrit. Në rast se do të merrte pjesë në zgjedhjet vendore, një humbje do të ishte fatale dhe largimi nga drejtimi i PD do të ishte i sigurt. Për këtë arsye, është shpikur kjo skemë për të shmangur largimin Lulzim Bashës, i cili po qëndron prapa derës për një vend si kryeministër.

Këtë Lulzim Basha e di mirë, por ajo që kreu i PD ende nuk di është se me këtë sjelle politike, me vrasjen e votës së demokratëve do vrasë përgjithmonë edhe partinë aq të dashur për shqiptarët, që sot nuk përfaqëson askënd. Basha sot ndjehet i humbur, por nuk e di që kjo humbje në ëndrrat e gjumit të tij të thellë ku gjithmonë i shfaqet Berisha, do të jetë e pafundme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Koalicioni me njerëzit vs koalicioni me dhunën

Prej disa ditësh ka nisur fushata derë më derë e Partisë Socialiste në Njësinë nr. 8, dorë më dorë e zemër më zemër për të informuar qytetarët për punët e kryera gjatë katër viteve dhe ato që do kryhen në mandatin e ardhshëm. Gjithashtu, po i kushtohet vëmendje e plotë […]