Reformat ndihmuan Shqipërinë dhe ekonominë

Editor
Read Time8 Minutes, 54 Seconds

Fjala e deputetit Ervin Bushati në seancën parlamentare dt. 31.01.2019

Më vjen mirë që do të flasim sot për buxhetin e vitit 2018 dhe ftoj opozitën të rikthehet në normalitet, të jetë brenda rendit të ditës mbas një nisje aritmike të kësaj seance. Çdo doktor i mirë e di që aritmia nuk është e mirë për gara të gjata, jeni në gara të gjata. Me votë mund të tentoni të merrni pushtetin, por me këto sjellje aritmike dhe shpeshherë të pakoordinuara nuk më duket se keni gjë në vijë.

Ishte një lajm i mirë, që buxheti i vitit 2018 u diskutua në të njëjtën datë që doli edhe raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë. Në të njëjtën datë kishim edhe opozitën në komision dhe bëmë një diskutim konstruktiv për sa i përket buxhetit të vitit 2018. Më vjen mirë që raporti i FMN-së e vlerëson me notën më të lartë ekonomisë shqiptare.

Ekonomia shqiptare ka pësuar rritje dhe ka përfituar shumë nga reformat që ka ndërmarrë qeveria. Kjo është fjalia e parë e FMN-së, nuk është as e Partisë Socialiste, as e qeverisë dhe as e Komisionit të Ekonomisë. Ka përfituar nga reforma që ka ndërmarrë qeverisja.

Dikur, kam dëgjuar një politikan nga ana e opozitës së sotme që thoshte se reformat janë pasioni i jetës sime. Më në fund këto reforma po zbatohen.

Jo, ne po i bëjmë reformat, ndërsa ju i kishit në mëndje për t’i bërë.

Këtë e thotë FMN-ja, nuk e thotë Ervin Bushati, dhe e keni në fjalinë e parë nëse doni ta lexoni.

Reformat po japin efekt. Rritja ekonomike prej 4,2% në vitin 2018 është për t’u përshëndetur dhe ka ardhur si shkak i reformave që ka ndërmarrë kjo qeveri. Reformat që ju nuk i bëtë e lanë vendin me një rritje anemike 4 herë më të ulët se kjo që kemi ne sot.

Shumë pika vlerësohen nga FMN-ja si reforma, masa të ndërmarra dhe politika të stabilizuara, që kanë ndihmuar ekonominë, ku vlerësohet politika e mirë e ruajtjes së monedhës vendase. Të gjitha diskutimet që bëtë njëherë e një kohë se po bie euro, po bie dollari, pse është forcuar leku, kanë një sens ekonomik dhe logjik pse ndodhin. Këto ndodhin për shkak se ekonomia është forcuar. Kur një ekonomi përforcohet dhe performon më mirë, monedha vendase forcohet. FMN-ja përshëndet Bankën e Shqipërisë, e cila nuk ka ndërhyrë me kursin e këmbimit. Kështu duhet të jetë, ajo duhet të vazhdojë të mos ndërhyjë, sepse çdo vlerësim i monedhës vendase shkon në të mirë të konsumit të qytetarëve, sepse për çdo import që blejnë i bie që ta marrim më lirë.

Inflacioni ka qenë në kontroll dhe ky është një lajm tjetër i mirë, ndërkohë deficiti buxhetor është nën 2%. Ne jemi një ndër vendet më të pakta, ndoshta i vetmi në Europë në dijeninë time, që e ka deficitin buxhetor 2 herë më të ulët se rritja ekonomike. Një politikë e majtë, që zakonisht e ka deficitin buxhetor më të lartë sesa rritja ekonomike për të stimuluar ekonominë po tregohet më konservative sesa vetë e djathta. Sot ne kemi një rritje ekonomike që është 2 herë më e lartë se deficiti buxhetor dhe kjo shkon në drejtimin e asaj që kemi dashur të bëjmë gjithmonë, të mbajmë nën kontroll borxhin kombëtar. Në qeverisjen e kaluar borxhi kombëtar doli jashtë kontrollit, ndërsa sot po shkon drejt uljes. Kjo i lë më shumë vend biznesit vendas që të investojë në ekonomi dhe këto para janë të biznesit shqiptar. 

Më vjen keq që opozita përpiqet të nxijë çdo gjë që ka të bëjë me Shqipërinë dhe ekonominë shqiptare, Më vjen keq që çdo ditë opozita kërkon të nxijë çdo gjë që ka të bëjë me qytetarët shqiptarë. Megjithatë, kur të fitoni qetësinë dua t’ju rikujtoj se padurimi nuk është shenjë maturie. Prerogativi i çdo minorance, i çdo opozite është të vijë në pushtet, por nuk është e ndershme ndaj qytetarëve shqiptarë që të nxijë realitetin e shqiptarëve deri sa të vijë në pushtet. Nuk është e ndershme t’u nxini jetën shqiptarëve vetëm që të vini në pushtet dhe kjo nuk e përmirëson klimën ekonomike në Shqipëri. Një opozitë që nuk vjen për 6 muaj në parlament, vjen këtu dhe thotë: “Pse nuk bëmë ne seancë të enjten”, ndërkohë që kishte pasur të hënën seancë. Kishit 6 muaj për të folur dhe nuk keni ardhur për të folur. Vini këtu për të folur dhe nuk flisni për ato që janë në rendin e ditës. Për 6 muaj bojkotuat, jo po kemi një marrëdhënie ne edhe bojkotojmë, edhe nuk bojkotojmë, ju nuk e dini as vetë se çfarë marrëdhënie keni me parlamentin, as çfarë keni me njëri-tjetrin.

Ndërkohë, FMN-ja vlerëson me notat më të larta pozitive daljen në tregjet ndërkombëtare të Eurobondit tonë. Ato e vlerësuan Eurobondin shqiptar prej 500 milionë eurosh me notën më pozitive ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, dy herë më të mirë sesa ai paraprirës, me normë interesi 3,5%. Sot ka shumë vende të Bashkimit Europian, të zonës euro, që janë nën ombrellën e Bankës Qendrore Europiane, që po dalin në treg dhe kanë dalë në treg të marrin norma më të larta interesi. A është e besueshme Shqipëria sa një vend i Bashkimit Europian? Politikisht ndoshta jo, por nga ana financiare po.

Tregjet ndërkombëtare financiare janë të ftohta, janë asnjanëse dhe nuk janë as me Ervin Bushatin, as me maxhorancën, as me qeverisjen, por janë vlerësuesi më i mirë i financave publike. Është njësoj si puna e termometrit, i cili është mjeti kryesor për një doktor të mirë për të matur temperaturën dhe shëndetin e një pacienti dhe të një vendi.

​3,5% ka qenë interesi që ka marrë Shqipëria, duke kursyer 20 milionë euro vit për vit vetëm me ndryshimin e normës së interesit. Këto nuk janë shifra në ajër, nuk janë fjalë kot, por janë 20 milionë euro që mund të shkojnë për më shumë shkolla, për më shumë rrugë, për më shumë infrastrukturë, për një polici më të mirë, për gjyqe më të mira.

​Gjithashtu, FMN-ja ka vlerësuar se janë ulur shumë kreditë me probleme. Të gjitha masat që janë marrë, të gjitha reformat kanë përgjysmuar kreditë me probleme, nivelin e NPL-ve në Shqipëri, duke u lënë më shumë mundësi bankave të kreditojnë biznesin privat. Patjetër që këtu kemi një punë të mirë edhe të qeverisjes, kemi një shlyerje të borxheve, kemi një sjellje më korrekte me kontratat dhe të gjitha këto bëjnë që sot Shqipëria të vlerësohet në tregjet ndërkombëtare.

FMN-ja e vlerëson me nota të larta reformën në drejtësi dhe kërkon nga partitë politike, kërkon nga qeverisja që reforma në drejtësi të vazhdojë sa më shpejt, sepse, siç e dimë, kushti bazë, kushti i parë për çdo vend që të thithë investime të huaja direkte dhe që të jetë serioz është sundimi i ligjit, rule and law, ai është rregulli parë. Këto të tjerat që diskutoni ju, që ndoshta i diskutojmë edhe ne dhe qytetarët nuk i shohin të rëndësishme, siç është koncepti juaj për nivelin e taksimit, mund të jenë në vendin e 5 apo të 6 në të gjitha studimet ndërkombëtare.

​Sot ne vazhdojmë të mbajmë vetëm prej besueshmërisë një nivel investimesh të huaja direkte që janë te 1 miliard euro në vit, ndërkohë që në të gjithë botën sot investimet e huaja direkte janë 3 herë më të ulëta sesa kanë qenë në vitet 2007-2008, që ka qenë pika më e lartë e investimeve të huaja direkte, kjo sipas të dhënave të FMN-së dhe të Bankës Botërore.
​Sfidat shqiptare patjetër që janë të shumta, si të çdo ekonomie në rritje, konvergjenca, pra rritja e të ardhurave të qytetarëve po shkon drejt përafrimit me atë të Komunitetit dhe të Bashkimit Europian. Ka sfida, siç është edhe ajo e motit, paraqiten shumë sfida, në fund thuhet edhe për PPP-të, sepse e kam dëgjuar që ngrini si sfidë PPP-të, se po bëhen problem për ekonominë.

​Ju keni parë si fundin e botës shumë ngjarje, shumë zhvillime, keni quajtur fundi i botës edhe fundin e kësaj maxhorance. I numërova dhe deri në muajin dhjetor kishit thënë “fundi”, “ka rënë qeveria”, rreth 84 herë për 84 çështje të ndryshme. Tani ose kjo qeveri u ngritka 100 herë dhe u bëka më e fortë çdo 100 herë, ose ju e keni gabim dhe i bini kot asaj ziles së alarmit.
​Më 20 nëntor të vitit 2018 po FMN-ja thotë që 3/4 e PPP-ve të koncesioneve të dhëna në sektorin e energjisë janë dhënë në kohën kur ju keni qenë në maxhorancë. Ato kanë qenë në nivelin 31% në raport me GDP-në, ku 23% janë vetëm në energji. 3/4 e PPP-ve të koncesioneve i keni dhënë ju si maxhorancë.

Kjo pjesa tani, që ngriheni, demonizoni, stigmatizoni koncesionet, që janë normale në çdo vend të botës dhe që patjetër do të përdoren në Shqipëri nuk shkon, sepse 3 rrugë ka: ose do të ngremë taksat dhe ju do të thoni jo, ose do të ngremë borxhin, por ne borxhin nuk e ngremë dot se e keni ngritur ju, ose do të fusim në punë paratë e shqiptarëve. 3/4 e koncesioneve i keni dhënë ju. A ka mundësi të mos ua nxini jetën shqiptarëve vetëm që të vini ju në pushtet? Ju do të përpiqeni të nxini ekonominë, t’u nxini jetën shqiptarëve deri sa të vini ju. Tregohuni më të matur, më të pjekur dhe prisni radhën. Shkoni fitoni zgjedhjet…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Miratohet propozimi i deputetit Bushati/ Pajisjet e konfiskuara nga lojërat e fatit shkojnë për shkollat 9-vjeçare

Fjala e deputetit Ervin Bushati në seancën parlamentare dt. 31.01.2019 Më vjen mirë që do të flasim sot për buxhetin e vitit 2018 dhe ftoj opozitën të rikthehet në normalitet, të jetë brenda rendit të ditës mbas një nisje aritmike të kësaj seance. Çdo doktor i mirë e di që […]