Rama dhe Veliaj i dorëzojnë çelësat e shtëpisë së re familjes Matera në Ndroq

Editor
Read Time4 Minutes, 17 Seconds

E mbetur e pastrehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, familja e ish-futbollistit legjendar të Tiranës, Besim Vladi, që është ndarë nga jeta para disa vitesh, ka mundur të akomodohet në shtëpi komode, falë bonusit të qirasë të përfituar nga Bashkia e Tiranës. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizituan sot shtëpinë ku është sistemuar me qira familja e tij, bashkëshortja, djali dhe vajza, vetëm pak metra larg shtëpisë së vjetër prej qerpiçi, të rrënuar nga tërmeti. Kryeministri Rama garantoi kryefamiljaren se do ketë mbështetjen e gjithë strukturave shtetërore deri sa të ndërtohet shtëpia e re, ndërsa dha lajmin e mirë se shumë shpejt pritet edhe finalizimi i marrëveshjes me një nga kompanitë më të mëdha turke, e njohur për ndërtimet e saj edhe në Amerikë, për të bashkëpunuar për fazën e rindërtimit. Rama tha se kjo kompani është e njohur në tregun botëror për prodhimin e shtëpive ekologjike dhe antisizmike dhe që ulin edhe faturat e energjisë, pasi kanë një termoizolim të shkëlqyer.

 

“Shpresoj se do realizojmë një marrëveshje me një kompani shumë të madhe turke që është në gjithë tregun botëror për shtëpi ekologjike antisizmike. Ata i shesin në Amerikë përgjithësisht, se atje nuk ndërtojnë me mure dhe me suva, por me beton special të lehtë. Nesër do shkojë një ekip atje. Jemi bashkë me këta të organizatave dhe nëse do e mbyllim atë marrëveshje me ta do bëjmë një rindërtim shumë të shpejtë të shtëpive. Vijnë gati, montohen. Praktikisht, ka disa opsione, do rrimë në atë mesataren mes 75 dhe 100 metrave sipas familjes. Të gjithë ata që e kanë shtëpinë të dëmtuar që nuk bëhet më, do kenë një shtëpi më të mirë se ajo që kishin. Shpresoj që ta mbyllim këtë marrëveshje këtë javë dhe do kemi mundësi që të sistemojmë me shumë shpejtësi”, deklaroi Rama.

 

Kryebashkiaku Veliaj informoi kryeministrin se ashtu si familja Vladi kanë përfituar bonus qiraje edhe mbi 1100 familje të tjera, të cilat po ashtu janë sistemuar në shtëpi me qira deri në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. “Dje kaluam edhe 266 qira të tjera, kemi vajtur fiks 1118. Kishim edhe disa raste speciale, pra për Ajtanga Lubonjën , për të gjithë ish-të përndjekurit, edhe e gjithë ajo që ndodhi, i thashë edhe këtyre të shoqatave, sa bëni statuse në Facebook dhe hartime, me 2 rreshta, vetëm kopja e kartës dhe ne i kaluam. Kështu që, në momentin që lanë hartimet në Facebook dhe u fokusuan ta zgjidhin, u zgjidh për 2 minuta”, tha Veliaj.

 

Ai gjithashtu u shpreh se Këshilli Bashkiak pranoi akt-konstatimet e Institutit të Ndërtimit që i shpalli 10 godinat e konvikteve në Universitetin Bujqësor si të rrezikshme për jetën e njerëzve dhe vendosi që t’i shembë ato. Gjithashtu, Veliaj bëri të ditur se edhe banorët që janë strehuar aty do trajtohen me bonus qiraje, ndërsa studentët do kompensohen. “Vendimin e morëm dje në Këshill Bashkiak, do prishen të 10-ta, pra edhe 8 të zaptuarat, edhe 2 konviktet e vjetra. Janë konvikte që janë bërë me punë vullnetare, pra vinte një studente dhe ndërtonte dhomën e vet. Edhe ata që thonë, hoqën vetëm ato të zaptuesve dhe jo të studentëve, e kanë gabim, se aty po i prishim të 10-ta, sipas Institutit të Ndërtimit. Do bëjmë një mbledhje të fundit në Këshill për atë paketë”, shtoi Veliaj.

 

Më pas kryeministri Rama dhe kryetari Veliaj udhëtuan në Ndroq ku i dorëzuan çelësat e shtëpisë së re Sadihe Materës, të cilës iu rrënua banesa e parë nga tërmeti i 21 shtatorit. Sikurse kishte premtuar kryebashkiaku Veliaj, shtëpia e re u rindërtua në kohë rekord dhe 7 banorët e kësaj familje do e presin ndërrimin e viteve në kushte komode shumë herë më të mira se më parë.

 

Kreu i qeverisë u shpreh se sikurse kjo banesë, e cila është bërë shumë herë më e mirë se ajo që ishte para se të dëmtohej nga tërmeti, edhe shtëpitë e tjera do të jenë model. “Keni kaluar pa dëmtime në shëndet. Kjo është kryesorja. Të tjerat pastaj, më mirë bëhet. Shtëpia është më e mirë se ajo që ishte. Të gjithë ata që kanë pasur dëme do t’ua bëjmë shtëpinë më të mirë”, tha Rama.

 

Një fakt të tillë e konfirmoi edhe kryetari i Bashkisë, i cili deklaroi se që në fillim një nga synimet ka qenë që banesat e reja që po ndërtohen pas tërmetit të jenë më të forta dhe me kushte shumë herë më të mira duke vendosur një standard të ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Shemben godinat e dëmtuara nga tërmeti në “Qytetin Studenti”, Veliaj: Të përgatitur për këdo që ka nevojë të marrë bonusin e qirasë

E mbetur e pastrehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, familja e ish-futbollistit legjendar të Tiranës, Besim Vladi, që është ndarë nga jeta para disa vitesh, ka mundur të akomodohet në shtëpi komode, falë bonusit të qirasë të përfituar nga Bashkia e Tiranës. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i […]