Opozita kërkon përkthyes!/ nga Deputeti Ervin Bushati

administrator
Read Time10 Minutes, 53 Seconds

Arriti të kuptojë opozita Ligjin e Vetingut pas rekomandimit të Komisionit të Venecias?

Arriti të merret vesh me shqiptarët që duan drejtësinë e munguar në kaq vite?

Po si arriti PD, të vërë né pikëpyetje BE-në, në mënyrë kaq qesharake me “përkthimin”?

A do të kërkojë Basha një përkthyes tani që nuk di si të flasë më me Shqiptarët?Ndryshe nga sa pretendonte opozita, na rezultoi se Ligji per “Komisionin e së vërtetës” (aka Vetting), sipas Komisionit të Venecias është në përputhje me ligjin themeltar te shtetit. Por si do tja shpjegojmë këtë opozitës? E cila gjuhën e drejtësisë nuk e njeh! Si do arrijë opozita të merret vesh me qytetarët që kërkojnë drejtësi?

Tashmë që Komisioni i Venecias u shpreh zyrtarisht mbi pyetjet e adresuara, Gjykata Kushtetuese duhet ta shqyrtojë me përparësi çështjen e ligjit të Vetting-ut. Përveç interesit qytetar, zbatimi i reformës është parakusht për të ardhmen në Bashkimin Europian. Qytetarët e duan reformën, ndaj nuk ka kohë për të humbur. Është momenti të përparojmë dhe të hapim një faqe të re në historinë e drejtësisë shqiptare.

Opozita tallet dhe bën ping-pong me “Vetingun”, por ka ardhur koha që ne të mbajmë përgjegjësinë që na takon para popullit shqiptar, ti japim atë që meriton dhe i takon këtij populli, që ka vite e vite me rradhë duke u sorollatur nëpër dyert e gjykatave, ku gjyqtari eshte cdo gjë veçse gjyqtar, ku prokurori eshte cdo gjë veçse prokuror. Ka ardhur koha që qytetaret shqiptar të fillojnë të besojnë në drejtësinë e shtetit tonë, që gjyqtaret te jenë në shërbim të çdo qytetari qe kërkon të drejtën e tij, jo në shërbim të  klaneve klienteliste, që gjyqtari dhe prokurori mos të jenë më ata që e japin të drejtën atje ku leku bëhet “letër”, po atje ku i takon.

Sot kemi lajmin e mirë se vendet anëtare të BE-së me dakordësi të plotë qëndrimesh mbi gjendjen e procesit të integrimit dhe ecurinë e tij gjatë muajve të ardhshëm, mbështesin rekomandimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Në deklaratën e Presidencës Sllovake të BE, për Shqipërinë, theksohet se:

  • Këshilli mirëpret hapat e mëdha që Shqipëria ka hedhur duke miratuar në  korrik 2016 me unanimitet amendamentet shumë të rëndësishme kushtetuese, duke i hapur rrugën nisjes së një procesi gjithëpërfshirës reformues të sistemit të drejtësisë.
  • Vendet Anëtare vlerësuan progresin e qëndrueshëm që ka bërë vendi ynë në lidhje me 5 prioritetet kyçe, progres që dallohet qartë në vlerësimin pozitiv të Komisionit Europian për të tretin vit radhazi, por edhe krahasuar me vendet e rajonit që janë pjesë e paketës së zgjerimit.
  • Vendet Anëtare të Bashkimit Europian mbështesin rekomandimin e Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim për vendin tonë, me mirëkuptimin që Shqipëria do të zbatojnë ligjin e vettingut, që synon të kalojë në një sitë të hollësishme vlerësimi të gjithë trupën gjyqësore.

Tashmë BE nuk na vendos kushte të reja, por evidentim kriteresh që do të na shoqërojnë edhe përgjatë procesit të negociatave

**** Vendet anëtare miratuan vlerësimin e kryer nga Komisioni Europian për Shqipërinë në të gjitha fushat:

  • Reformën në Administratën Publike
  • Luftën kundër Korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar
  • Progresin mbi mbrojtjen e të drejtave themelore
  • Besnikërinë e Shqipërisë në kuadër të politikës së jashtme të BE për të tretin vit rradhazi
  • Progresin e kryer në zhvillimin e ekonomise se tregut funksionale
  • Progresin në Lirinë e shtypit
  • Progresin në lidhje me të drejtat pronësore

Reforma në drejtësi mbetet thelbësore për konsolidimin e progresit në të gjitha fushat e tjera.

Vendet anëtare vlerësojnë se e vetmja rrugë përpara është dialogu politik konstruktiv, nuk është BE që e vonon proçesin, as ne, por Opozita që bëhet pengesë për aplikimin e ligjit të vettingut, megjithëse Komisioni i Venecias foli qartë fjalën e tij.

OPOZITA KËRKON PERKTHYES!

Ka ardhur koha që çdo qytetar të fillojë të besojë se shteti shqiptar është vërtet i drejtë për qytetarët e tij:

Së pari, kemi detyrimin ti japim çdo shqiptari drejtësinë e munguar prej vitesh mungon edhe ky hap, që lokomotiva e drejtësisë të futet në shinat e saj dhe t’i hapë rrugën çdo vagoni tjetër pas saj, duke na afruar gjithmonë e më shumë me BE-në.

Shprehje e domosdoshmerise për reformën në drejtësi është fakti se kjo reformë  ka në bazën e vet shqetësimin e qytetarëve të këtij vendi per mungesë drejtësie.

Një sistem drejtësie pa integritetit, pa pavarësi, pa efiçencë, pa besueshmëri, pa transparencë, dhe pa përgjegjshmëri.

Duke finalizuar dhe vetingun si pjesë e reformës në drejtësi, do të marrin mbështetje edhe reformat ekonomike.

Korrupsioni, keqfunksionimi, evazioni fiskal, mungesa e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë, efiçencës se luftës kundër informalitetit, besueshmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së sistemit tashmë janë identifikuar dhe pranohen gjerësisht si fenomene dëmtuese, që duhet të jenë në fokus të kësaj reforme të thellë, me qëllim ndryshimin e situatës në sistemin e drejtësisë në vend.

Lufta kundër këtyre fenomeneve në sistemin e drejtësisë përbën sfidën thelbësore për konsolidimin e barazisë së qytetarëve para ligjit dhe çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë, që sot është mbizotëruese.

Shqipëria është duke u përgatitur për të kryer një reformë tërësore kushtetuese që do të përfshijë: integrimin evropian, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, organizimin e gjyqësorit dhe të prokurorisë. Megjithatë, ndryshimet e propozuara janë të orientuara nga nevoja e menjëhershme për të siguruar integritetin e gjyqtarëve shqiptarë dhe këtij sistemi të kalbur. Në këtë drejtim, një nga elementet e rëndësishem do të jetë procesi i verifikimit, “vetting”.

OPOZITA KËRKON PERKTHYES!

Së dyti: Shqipëria është një vend kandidat për anëtar i BE-së, por mungesa e besimit në sistemin gjyqësor është gangrenë në sytë e të gjithëve.

Asnjë vend tjetër kandidat për anëtar i BE-së nuk ka këtë shkallë korrupsioni dhe paaftësie në sistemin e drejtësisë.

Asnjë vend tjetër kandidat nuk ka një sistem të kalbur drejtësie sic e kemi ne.

Asnjë vend tjetër nuk paguan gjyqtarë e prokuror që detyrën e tyre për të dhënë drejtesi ta përdorin

në mënyrën më të turpshme për të mbushur xhepat në kurriz të popullit.

Asnjë vend tjetër në Europë nuk ka raste ku drejtësia blihet e shitet në mënyrë të turpshme.

Asnjë vend tjetër në Europë nuk e quan normalitet që asnjë gjyqtar e prokuror nuk është shkarkuar për shkak paaftësie ose të jetë dënuar penalisht për korrupsion edhe kur ka pasur fakte të qarta për këtë gjë.

Prej vitesh organet e ngarkuara me detyrën për të kontrolluar, promovuar dhe pastruar sistemin nga gjyqtarë e prokurorë të paaftë dhe korruptuar nuk e bënë si duhet këtë funksion të ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji.

Të paaftët dhe të korruptuarit që i kane perfituar vendet e punes financiarisht ose politikisht apo mbi  bazën e lidhjeve korruptive në vend të ndëshkoheshin, u promovuan, u ngritën në detyrë dhe bënë karrierë mbi kurrizin e qytetarëve duke nxirë në këtë mënyrë “fytyrën” e drejtësisë shqiptare.

Kontrolli mbi profesionalizmin e gjykatësve dhe prokurorëve, të ardhurat e tyre, aftësitë, jeta personale dhe e anëtarëve të tyre të familjes  është një mjet kryesor i paketës së reformave drastike që synon luftimin e mungesës së profesionalizmit dhe korrupsionit i cili nuk perceptohet si i tillë vetëm nga ndërkombëtarët, por nga çdo qytetar i vendit.

OPOZITA KËRKON PERKTHYES!

Së treti: Duhet rivendosur besimi në institucionet shtetërore. Rivendosja e besimit në shtetin e së drejtës është thelbësore në qoftë se qeveria do të përmbushë funksionet e saj në nivele optimale.

Krimi nuk mund të trajtohet si duhet e jo me te denohet në qoftë se qytetarët nuk i besojnë prokurorisë dhe gjykatave.

Taksat nuk do të mblidhen në nivele të mjaftueshme pa një besim themelor në efikasitetin e qeverisë.

Në mënyrë të ngjashme, investitorët e huaj dhe vendorë nuk do kenë interes të ndërmarrin hapa për investime  në vendin tonë, nëse nuk janë të bindur se ne, politikanët e këtij vendi jemi angazhuar me një qëllim të përbashkët për mirëqeverisjen dhe sundimin e ligjit.

Sistemi gjyqësor më të vërtet përballet me një numër të madh të rasteve të grumbulluara të pazgjidhura. Ndoshta pjesa më e rëndësishme është çështja ekonomike, që në krahasim me çështjet e tjera me të vërtetë janë në numër më të vogël, por me rëndësi të lartë.

Prandaj, tani NE më shumë se kurrë, na duhet të angazhohemi për të bërë këtë reformë të thellë strukturore, REALITET.

Duhet të bëjmë të mundur konsolidimin dhe promovimin e demokracisë.

Unë mendoj se, kjo reformë do të jetë bazë e fortë për mirëfunksionimin e ekonomisë dhe tregut, e zbatimit të një konkurrence të lirë, të ndershme dhe të drejtë.

Për vite të tëra, sipërmarrës vendas dhe të huaj janë sorrollatur në dyert e gjykatave pa gjetur zgjidhje e mbi te gjitha pa fituar te drejtën e tyre. Sepse në dyert e tyre sundonte ligji i atij që kishte më shumë për të ofruar dhe e drejta i takonte kujtdo që investonte me shumë në xhepin e gjyqtarëve apo prokurorëve.

OPOZITA KËRKON PERKTHYES!

Së katèrti: Eshte momenti te përmirësojmë efikasitetin institucional dhe klimën e të bërit biznes në Shqipëri.

Unë kam bindjen e plotë, se kjo reformë do t’i japë siguri sipërmarrësve dhe biznesit duke garantuar trajtimin e barabartë para ligjit si qytetarëve ashtu edhe subjekteve duke mundësuar kështu shtimin e investimeve të huaja dhe vendase.

Sistemi i drejtësisë është i lidhur në mënyrë organike me zhvillimin ekonomik e social. Kjo sepse reforma në drejtësi krijon kushte te reja dhe zgjeron hapësirën për zbatim më të mirë të lirive të tregut.

Duke patur sundim të mirë të ligjit do të kemi përfitime edhe në aspektin e rritjes së efiçencës së luftës kundër informalitetit, evazionit fiskal, krimit ekonomik duke siguruar më shumë të ardhura për shtetin.

Liria politike dhe ajo ekonomike janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Regjimet politike kanë korrespondencën e tyre “të detyruar” me regjimet ekonomike.

Nuk ka liri politike e demokratike pa liri ekonomike, ashtu siç nuk ka liri ekonomike pa liri politike.

Çdo shoqëri që pretendon se mbron liritë politike duhet të mbrojë edhe lirinë ekonomike. Relacionet ndërmjet lirisë ekonomike dhe lirisë politike nuk mund të jenë të njëanshme.

Situata nuk është më e pashpresë, pritshmëritë më të larta në këtë mes i ka qytetari. Atij i detyrohemi edhe kësaj here, si çdo herë tjetër për t’i ofruar drejtësinë e munguar për vite e vite me rradhë.

Duhet të vazhdojmë të çojmë përpara reformën në drejtësi, ti sigurojmë vendit një “drejtësie më të drejtë”, shtetin ligjor.

Njëra nga shtyllat e shtetit është rrëzuar, por rindërtojmë hap pas hapi, me çdo votim pro të ligjeve të reformës. Është përgjegjësi e jona para çdo qytetari të këtij vendi, të rimëkëmbim shtyllën e drejtësisë, t’i japim vetes dhe politikës moralin që i takon.

Ëndrra e vjetër e shqiptarëve duhet materializuar.

Ka ardhur dita që të kemi një drejtësi qe do ndëshkojë çdo padrejtësi,,,

Mjaft më me populizma, Shqiptarët duan Progres… por…

OPOZITA KËRKON PERKTHYES!

Në përfundim, ju them mos të lodheni të gjeni përkthyes për Vetingun, prisni Ditën e Sovranit, më 18 Qershor 2017, dhe do merreni vesh me shqiptarët që presin më në fund: Drejtësi!!

 

JU FALEMINDERIT!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

JENI TË FIKSUAR PAS TATUAZHEVE? JA DISA SEKRETE RRETH TYRE

Arriti të kuptojë opozita Ligjin e Vetingut pas rekomandimit të Komisionit të Venecias? Arriti të merret vesh me shqiptarët që duan drejtësinë e munguar në kaq vite? Po si arriti PD, të vërë né pikëpyetje BE-në, në mënyrë kaq qesharake me “përkthimin”? A do të kërkojë Basha një përkthyes tani […]