Nxënësit e Kombinatit nisën vitin e ri mësimor në shkollën e rikonstruktuar “1 Qershori”

Bleona Hoxha
Read Time3 Minutes, 49 Seconds

Shkolla 9-vjeçare “1 Qershori” në Kombinat hapi dje dyert për nxënësit, e rikonstruktuar dhe me kapacitete të dyfishuara.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri mësimor, si dhe i këshilloi për respektim të masave të protokollit të higjienës.

“Jam i lumtur dhe krenar për stafin, që punoi gjatë gjithë verës për të rikonstruktuar një shkollë tjetër me kushte dinjitoze. Kemi hapur një numër rekord shkollash të reja këtë vit: në Lalm, Vaqarr, Sharrë dhe Allgjatë. Për shkollën në Pezë-Helmës, e cila u dëmtua nga tërmeti, e gjetëm menjëherë zgjidhjen, morëm në përdorim shkollën private “Vëllezërit Kajtazi”për t’i transferuar fëmijët aty, ndërkohë dje hapëm shkollën “Jeronim de Rada” dhe sot u themi mirë se vini nxënësve në shkollën  ‘1 Qershori’”, tha Veliaj.

Ai kujtoi se ndryshe nga administrata e mëparshme,e cila nuk ndërtoi asnjë shkollë, vetëm këtë vit kryeqytetit i janë shtuar 4 shkolla të reja.  Kryebashkiaku siguroi se Bashkia e Tiranës do të vijojë misionin e saj për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave.

“Sot vërtet fillon shkolla, por misioni ynë nuk mbyllet këtu. Do të vijojmë me shkollat e reja që po bëjmë në të gjithë Tiranën. Viti tjetër do na gjejë edhe me më shumë shkolla; do punojmë me shkollat e reja që fillojnë nga zero, edhe me shkollat e dëmtuara nga tërmeti. Siç e patë, nuk po lëmë gur pa lëvizur, edhe fondet e qeverisë, edhe fondet e Katarit, edhe fondet e Çekisë, për t’i dhënë zgjidhje fëmijëve të Tiranës. Nuk do të kursejmë asnjë njohje, asnjë lidhje, asnjë ambasadë, asnjë partner, asnjë mik të Shqipërisë”, tha kryebashkiaku.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e prindërve dhe u bëri thirrje që të besojnë vetëm profesionistët dhe jo teoritë e konspiracionit. Duke u ndalur tek fillimi i vitit të ri arsimor në shkollën e rikonstruktuar “Jeronim de Rada”, kryetari i bashkisë theksoi se përpara se PD-ja të akuzojë me motrën e ish-ministres së PD, Mirela Karabina, së pari duhet t’u tregojnë qytetarëve se cilat janë shkollat që kanë ndërtuar në Tiranë.

Dëgjoja dje këta që mallkonin shkollën “Jeronim De Rada”, kur shoh se mësuesja që po ankohej ishte motra e ish-ministres së PD, Mirela Karabinës. Thashë, dakord, ankohu, ke të drejtë të ankohesh, por kam një pyetje: Motrën e kishe ministre, shefin e motrës e kishe kryetar bashkie, më thuaj një shkollë që bëre, pastaj ankohu!Jo, po unë jam sëmurë, pse s’më ftuan në takim? Po, pikërisht se je sëmurë me Covid, siç isha edhe vetë, nuk vajta as unë në Bashki, kurse ti si zyshë e sëmurë, të shkuara, prit të shërohesh dhe më pas do ftohesh! Se tani, këtej thonë kujdesuni për shëndetin, këtej thonë pse s’na ftuat me ambasadorin? Kur ti zbulon pastaj se është motra e ish-ministres së PD, thua: Mirë nuk na jepni një dorë, mirë nuk bëni asnjë punë, të paktën lini të tjerët të punojnë”, tha ai.

Veliaj siguroi se çdo premtim i dhënë do të mbahet gjer në fund, duke filluar nga pagesat ‘cash’ për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti ose çelësat në dorë për shtëpitë e reja.

Çdo premtim që kam dhënë, e kam mbajtur deri më sot. Synoj të mbaj të gjitha premtimet e tjera, përfshirë premtimet që ua kemi dhënë prindërve të fëmijëve, duke filluar nga pagesat ‘cash’ për shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti ose çelësat në dorë për shtëpitë e reja që po bëjmë. Nëse janë individuale, janë në proces ndërtimi; nëse janë tek pallatet e reja, shumë shpejt hapim themelet në Kombinat. Vetëm kur mbajmë premtimet kemi privilegjin të kërkojmë që t’u shërbejmë prapë njerëzve. Në momentin kur një njeri nuk bën një shkollë, i ngel sahati, nuk i jep dot dum asnjë pune në Tiranë, sigurisht sporti i sharjes dhe i mallkimit është ndoshta i vetmi sport ku mund të luajë”, deklaroi Veliaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Veliaj letër urimi nxënësve të Tiranës: “Jeni aleatët e mi, më jepni kurajo për transformimin e qytetit tonë”

Shkolla 9-vjeçare “1 Qershori” në Kombinat hapi dje dyert për nxënësit, e rikonstruktuar dhe me kapacitete të dyfishuara. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi nxënësit dhe mësuesit për vitin e ri mësimor, si dhe i këshilloi për respektim të masave të protokollit të higjienës. “Jam i lumtur dhe […]