“Nata e Bardhë”, Tirana zgjuar dhe plot aktivitete

Editor
Read Time2 Minutes, 15 Seconds

Tirana do të jetë zgjuar sot deri në orët e para të së mërkurës duke e bërë një natë të gjatë festën e çlirimit, në konceptin e “Natës së Bardhë” e cila është kthyer tashmë në traditë për vendin tonë. Duke filluar nga ora 18.00, 29 nëntori e gjen Tiranën me një axhendë të pasur ku institucionet e artit do të ofrojnë aktivitete të larmishme duke e kthyer kështu “Natën e Bardhë” në një event kulturor që e afron vendin tonë me shumë qytete evropiane.

“Nata e Bardhë”, është konceptuar si një përpjekjeje për të sjellë artin më pranë njerëzve ku përveç muzikës e koncerteve festive në kryeqytet, hapësirat e qytetit do të shndërrohen në ekspozita të përkohshme arti. Muzeu Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, Cirku, Teatri i Operas dhe Baletit, Teatri Kombëtar dhe Teatri i Kukullave do të shndërrohen në ekspozita të përkohshme arti, të hapura me aktivitete dhe interpretime për të gjithë grupmoshat.

Në Muzeun Historik Kombëtar do të qëndrojë e hapur ekspozita e çelur për 104-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, me flamuj, bustet e disa prej anëtarëve të Qeverisë së përkohshme të Vlorës, penën historike të firmosjes së aktit të Pavarësisë, vula të administratës së kohës, periodikë, materiale etnografike me simbole kombëtare, fotografi origjinale të kohës, libra të kohës etj.

Edhe Galeria Kombëtare e Arteve do të hapë dyert nga ora 18.00 deri në orën 02.00 të mëngjesit për t’i ofruar vizitorëve akses në të gjitha sallat, ku publiku do të ketë mundësinë të vizitojë vepra të autorëve të traditës, të realizmit socialist, si dhe pavijonin e ri me vizatime të artistëve shqiptarë.

Në skenen e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të ngjitet në skenë një nga krijimet më të bukura shqiptare, opera “Skënderbeu” duke nisur nga ora 19:00.

Teatri i Metropolit do të mirëpresë vogëlushet në një koncert festiv paraditen e sotme, ndërsa gjatë ditës do të ketë shfaqje me filma vizatimorë nga kinemaja shqiptare, ndërsa Arena e Cirkut Kombëtar do të presë 50 artistë e akrobatë me numra ekuilibri, iluzioni dhe kërcime, në një spektakël për të gjitha moshat.

Ndërkohë edhe në kinematë e Tiranës mund të shihni filma shqiptarë si: “Lindje Perëndim Lindje” ora 13:30 dhe “Amsterdam Express” ora 15:45

Një larmishmëri aktivitetesh këto që do të mbushin axhendën e qytetarëve deri në orën 04.00 të mëngjesit të së mërkurës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

4 sëmundjet me të shpeshta tek macet gjatë vjeshtës dhe si ti kalojmë ato pa mjekim

Tirana do të jetë zgjuar sot deri në orët e para të së mërkurës duke e bërë një natë të gjatë festën e çlirimit, në konceptin e “Natës së Bardhë” e cila është kthyer tashmë në traditë për vendin tonë. Duke filluar nga ora 18.00, 29 nëntori e gjen Tiranën […]