MREKULLIA BALLKANIKE NË BASHKËJETESËN FETARE

administrator
Read Time2 Minutes, 9 Seconds

Sot është e vështirë të rindërtohet panorama shoqërore e asaj se çfarë ndodhi me trevën e Tiranës pas shfarosjes sistematike që ushtritë osmane i bënë gjatë shek. XV popullatës së qarkut të Arbanës (episcopus Arbanensis), por dimë se me vendosjen e plotë të Pax Turcica-s, aty nga shek. XVII, u zhvillua bërthama urbane e Tiranës, me një përbërje krejtësisht muhamedane, në qytet e me mikro-komunitete të krishtera në periferi (më tepër ortodokse se katolike). Burimet dëshmojnë se komuniteti ortodoks, në ndryshim nga ai katolik, është i ardhur në trevë nga viset lindore, kryesisht përmes udhës së Mbretit (via Egnatia) duke pasur dhe mbështetjen e Mitropolisë së Durrësit. Në fakt, ortodoksëve të ardhur u qe lejuar të hapnin dyqane në pazarin e Tiranës për shkak të zotësive të përmendura të tyre në fushën e artizanatit. Dhe pikërisht nga krahu i pazarit, rrëzë kodrës së Pashës, aty nga viti 1787 bargjinollët mirënjohës ndaj ndihmës së ortodoksëve në mbrojtjen e Tiranës nga Kurt Pasha i Beratit, lejuan ndërtimin e kishës kushtuar shenjtit Prokop.

A nuk është kjo mahnitëse? Voskopojarët dhe vllehët (llacifacit) gjetën në Tiranë shtëpinë e tyre të re ku janë dhe sot afro tre shekuj. Në librin “Kodiku i Kishës së Shën Prokopit (1818-1922)” të Dhimitër Bedulit janë emrat e tiranasve të krishterë dhe ndihmesa e tyre. “Nasi Voilla (250) groshë, Jano Tërba (100), Petri Koja (40), Mihal Janku (50)…” Viti 1818 dhe lista ka 71 emra.

Për mos të folur se dhe në 1874 kur u ndërtua kisha e Ungjillizmit dhurimet ishin krejt të vendalive ortodoksë, syresh dhe disa myslimanë. Për cilësinë e bashkjetesës si një frymë bashkuese që egzistonte në Tiranë kemi dhe historinë e katolikut tiranas Stefan Herceku, tiranasit i thonin “Çeç Herceku”. Në gushtin e vitit 1891 Stefan Herceku hapi themelet për një shtëpi të re. Pasi kishte thirrur famullitarin e Tiranës për t’i bekuar themelet, më vonë ftoi dhe tre hoxhallarë për të kënduar duanë po përmbi këto themele.

Mrekullia e bashkëjetesës fetare si një fenomen shqiptar në tërësi dhe tiranas në veçanti, është një nga vlerat më të mëdha që trashëgojmë nga të parët dhe duhet ta kultivojmë te brezi i ri.

Referencë: “Filantropistët e Tiranës” nga Marsida T. Najdeni

Foto: Kisha Ungjillizmit, Tiranë 1910

#tironaevjeter #zemraetiranes #bashkejetesafetare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Java Kombëtare e Ujit, Veliaj: Do shmangim përmbytjet në kryeqytet

Sot është e vështirë të rindërtohet panorama shoqërore e asaj se çfarë ndodhi me trevën e Tiranës pas shfarosjes sistematike që ushtritë osmane i bënë gjatë shek. XV popullatës së qarkut të Arbanës (episcopus Arbanensis), por dimë se me vendosjen e plotë të Pax Turcica-s, aty nga shek. XVII, u […]