Menaxhimi i stuatës pandemike, Bushati: Qeveria ia doli mbanë

Bleona Hoxha
Read Time3 Minutes, 27 Seconds

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ishte i ftuar për një intervistë në emisionin ‘Ilva Now’ në EuroNews, ku foli rreth situatës ekonomike në vend si pasojë e pandemisë Covid-19. 

Bushati shpjegoi se shëndeti i ekonomisë është i bazuar mbi shëndetin e shoqërisë dhe se në radhë të parë qeveria ka për detyrë të kalojë fazën e parë të pandemisë, që është përkatësisht ruajtja e shëndetit të qytetarëve. 

 


‘ Në radhë të parë qeveria ka për detyrë të kalojë fazën e parë me këtë pandemi, pra që është ruajtja e shëndetit të qytetarëve që është e lidhur ngushtë me shëndetësinë e ekonomisë. Nëse nuk kemi një shoqëri të shëndetshme që nuk funksionon, nuk mund të mendojmë për ekonominë. Shqipëria krahasuar me vende të tjera më të fuqishme e ka kaluar më së miri. Kjo pandemi do ketë tre faza. Faza e parë është kjo e përplasjes dhe luftës, faza e dytë është hapja e ekonomisë dhe mënyra si do kthehemi në një realitet të ri dhe faza e tretë është momenti ku do kemi një siguri apo një kurë që do e stabilizojë botën. Në 4 muaj Shqipëria mbajti mbi supe dy tragjedi të mëdha që nuk i kemi patur në mijëra vite. Ky është bllokues dhe shokues për ekonominë globale. Ne nuk mund të ishim një ishull i qetë dhe i lumtur në mes të një trazire të madhe, pra patjetër është prekur edhe ekonomia shqiptare. Shqipëria është një vend që është prekur pak dhe hapja ekonomike do ta rikuperojë. Ne kemi premtime të besueshme për një ndihmë sa 10% e GDP-së. Nëse qeveria arrin t’i përputhë këto fonde dhe t’i fusë shpejt në përdorim, ekonomia do ringrihet’, shpjegoi deputeti socialist. 

Më tej Bushati pohoi se Shqipëria nuk e kërkoi dhe nuk e meritonte këtë pandemi, pra kjo nuk ka të bëjë me qeverinë.

‘Faza e parë tregon shumë për mënyrën se si do menaxhohen fazat e tjera. Ne jemi njerëz rracionalë dhe të arsyes. Të pyesim veten se kush e shpëtoi Shqipërinë që ka kaq pak viktima!
Sot në Amerikë flitet për nivelin e papunësisë ndonjëherë të matshëm, pra 30 mln të papunë. Britania e Madhe pritet që ekonomia të bjerë në 14%. T’i vësh fajin qeverisë për pandeminë është si ‘të flasësh me alienët’. Në të gjitha vendet ku ka patur luhatje politike, nuk ka patur mazhoranca të sigurta apo aty ku kanë hezituar kryeministrat, kanë patur më shumë vdekje. Kemi rastin e Anglisë, Italisë, Amerika dhe më pak Franca. Në mendimin tonë është më me rëndësi të ruajmë jetën e njerëzve se të tjera gjëra. Masat u morën fiks në kohën e duhur dhe kjo është arsyeja pse ka kaq pak viktima në Shqipëri. Nuk po themi që kemi kreun më të mirë në krye të qeverisë, por më të zotin në momentin e duhur’, tregoi kreu i PS-Tiranë. 

Bushati gjithashtu vuri në dukje se disa nga masat mund të jenë edhe më të gjera.

‘Niveli i borxhit kombëtar mund të rritet edhe më tepër. Shqipëria nuk është në nivele borxhi të pakontrollueshëm. Shumë vende të vogla si ne po ndihmohen nga FMN dhe Banka Botërore. Sot që flasim Shqipëria paguan 45 mln euro më pak se sa paguante për shërbimin e borxhit, që ka qenë në nivelin 3.2 në raport me GDP dhe sot është 2.4, pra është shumë më nën kontroll. Mendoj që mund të merret më shumë borxh në mënyrë që të shpëtohet ekonomia në këtë moment.

Besimi qe i dhamë me jetën tonë qeverisë, t’ia japim edhe për ekonominë. Ishte kjo qeveri që dha rezultate menaxhimi shumë të mira të dy ngjarje që nuk kanë ndodhur në mijëra vite. Duhet besim në këtë situatë’, theksoi së fundmi deputeti socialist. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Bushati: Ekonomia do një Turbo-Financë!

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ishte i ftuar për një intervistë në emisionin ‘Ilva Now’ në EuroNews, ku foli rreth situatës ekonomike në vend si pasojë e pandemisë Covid-19.  Bushati shpjegoi se shëndeti i ekonomisë është i bazuar mbi shëndetin e shoqërisë dhe se në radhë të parë qeveria […]