Me kë është ‘Tata’?! Intervistë ekskluzive me legjendën e futbollit shqiptar, Blendi Nallbani

Kledina Skëndo
Read Time6 Minutes, 24 Seconds

Blendi Nallbani është padiskutim një ndër figurat më të njohura, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në progresin e futbollit shqiptar. Ish-portieri i Tiranës dhe Partizanit, i cili gjatë karrierës së tij veshi fanellat e dy skuadrave kundërshtare të kryeqytetit, vjen këtë herë në një intervistë ndryshe, për të na folur jo vetëm për aspektin profesional , për të cilin jo rrallë herë jemi mësuar ta dëgjojmë, por për të na treguar dhe një anë krejt tjetër të tij. 

Tate ta nisim bisedën paksa më ndryshe dhe për të mos kaluar direkt në aspektin profesional sepse publiku dhe lexuesit kërkojnë të njohin një anë tjetër tuajën, jashtë atyre kornizave të sportit. Të lutem na trego cila është rutina juaj, si e nisni ditën dhe me çfarë po merreni ju aktualisht?

Unë e nis ditën si gjithë të tjerët, ngrihem dhe pi kafen e mëngjesit me bashkëshorten, më pas shoqëroj time shoqe për në punë dhe pastaj iki në punën time.

Jeni akoma ai Blendi i cili stërvitej rregullisht për të qenë gjithmonë në formë dhe energjik, ashtu siç ju kemi parë dikur në fushë?

Jam i mendimit që mosha bën të vetën. Në mendime dhe në veprime jam po ai qe kam qenë dikur, ndonëse sot që po flasim jam 49 vjeç, por në aspektin e stërvitjes nuk jam më i njëjti.

 Unë do të doja të dija diçka më shumë rreth anës suaj humane apo njerëzore. Siç e dini vendi ynë kaloi një ndër momentet më të vështira, siç ishte ai i tërmeit të 26 nëntorit. Si e përjetuat ju atë ngjarje tragjike për kombin tonë dhe sa pranë komunitetit keni qenë atë periudhë?

Tërmeti i 26 nëntorit ishte një fatkeqësi natyrore së cilës nuk mund t’i shmangeshim dot sepse nuk e kemi ne në dorë. Unë personalisht kam përjetuar edhe dy tërmete të tjera të rënda në jetën time. Realisht më erdhi shumë keq për ata që humbën jetën. Menjëherë pas tërmetit, në drejtorinë ku unë punoj kërkova bashkëpunimin e ekipeve. Përaktësisht 87 sportistë lanë edhe trajtimin ushqimor të muajit që u takonte vetëm për të ndihmuar ata që kishin nevojë. Gjithashtu bashkë me kryebashkiakun Veliaj, shpërblimin që na takonte për festat e fundvitit, e çuam për të prekurit nga tërmeti. 18 vetë nga ne kemi lënë pjesën që na takonte dhe asnjëri nuk e kundërshtoi këtë nismë. Sigurisht që edhe tani që po flasim, puna ime për të ndihmuar ata në nevojë po vijon. Kemi planifikuar një aktivitet në datat 27-28 dhjetor dhe paratë e investitorëve do të kalojnë për të prekurit nga tërmeti.

 Keni bashkëpunuar me njësinë nr. 8 apo me deputetin e zonës, përkatësisht me z. Bushati për të ndihmuar familjet që u prekën nga tërmeti?

Me deputetin Bushati kam bashkëpunuar jo vetem me rastin e tërmetit, duke iu gjendur sa më pranë atyre personave që kishin realisht nevoje, por kam bashkëpunuar edhe për shumë gjëra të tjera. Bushati ka qenë iniciator për shumë aktivitete të kryera nga ‘Zemra e Tiranës’. Bashkëpunimi ynë do të vijojë dhe aktualisht jemi në bisedim e sipër për një projekt të rradhës. 

Që të mos lëmë pa përmendur edhe aspektin profesional tuajin që padiskutim ka qenë i mbushur me arritje dhe ngjarje që kanë mbetur në historinë e futbollit shqiptar, do të doja të dija nga ju se cilën ndeshje e shihni si ‘golin’ apo kulmin e suksesit tuaj? Me çfarë krenoheni kur ktheni kokën pas?

Hapat e parë unë i kam hedhur te Partizani si edhe mjeshtër sporti kam dalë nga Partizani, por arritjet më të mëdha në fakt i kam me Tiranën. Kam dalë 9 herë kampion me Tiranën, 5 herë kam qenë fitues i kupës së Shqipërisë si edhe kam dalë për 4 vite rrjesht ‘Portier i vitit’. Gjithashtu edhe me Partizanin kam dalë në 11-shen më të mirë të Evropës. Pra, arritjet në aspektin profesional kanë qenë të shumta.

Po momentet më të vështira që keni kaluar në jetën tuaj profesionale, cilat kanë qenë?

Sporti ashtu siç ka momentet e bukura, ka njëkohësisht edhe ato nga më të vështirat. Në një moment mund të jesh shumë lart dhe i arrirë dhe në një moment tjetër mund të biesh shumë poshtë. Në sport ka raste kur bëhen edhe gabime.

A ka pasur raste kur jeni korruptuar dhe keni bërë lëshime gjatë një ndeshje?

Nëse kam lënë ndonjë gol të bëhet kot, e kam bërë miqësisht, por nuk do ta quaja korrupsion këtë rast. E pranoj që kam lënë 2 apo 3 ndeshje miqësisht. Sot ndeshjet kam vënë re që korruptohen, por ne dikur nuk e bënim për para, e bënim vetëm për miqësi.

Me datë 13 dhjetor u luajt në stadiumin e ri ‘Air Albania’ derbi apo ndeshja klasike dhe sigurisht një ndër më të rëndësishmet në futbollin shqiptar, ai mes Partizanit dhe bardhebluve të Tiranës. Dua që me sinqeritet të më thoni se për cilën skuadër keni bërë tifo atë natë, pra me cilën skuadër është realisht Tata?

Familja ime ka qenë historikisht me Tiranën. Në fakt historiku i familjes sime është i lidhur ngushtësisht me sportin, jemi marrë gjithë jetën me sport. Ndonëse une jam tifoz i Tiranës, unë kam luajtur për të dyja skuadrat në mënyrë strikte, nuk kam bërë dallime kur luaja për skuadrën përkatëse. Si karrierë e kam nisur me Partizanin, nuk e mohoj sepse historia nuk fshihet, por tifoz jam me Tiranën.

Meqë përmenda pak më herët stadiumin ‘Air Albania’, mund të di mendimin tuaj lidhur me këtë investim të qeverisë shqiptare? Mendoni që është bërë gjëja e duhur?

Këto që ka bërë qeveria aktuale nuk i kanë bërë qeveritë paraardhëse. Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit si edhe Bashkia e Tiranës na kanë dhënë shumë dorë. Ne më parë kemi luajtur në kushte skandaloze, nuk kishim as ujë për t’u larë. Stadiumi i ri ishte diçka komplet jashtë pritshmërive tona. Investimet në infrastrukturë gjatë periudhës së qeverisë aktuale kanë qenë të mëdha.

Së fundmi për ta mbyllur, siç e dini shumica e të rinjve shqiptarë e kanë pasion futbollin, por rrethanat i kushtëzojnë dhe nuk u lënë hapësirë që të ndjekin ëndrrën e tyre. Çfarë mesazhi do të donit të përcillnit tek ata? 

Unë u bëj thirrje të rinjve që të merren me sport dhe të mos i ndahen sepse koha e ka treguar që një ditë mund të shpërblehesh. Vetëm sporti mund t’i nxjerri aty ku nuk ta pret mendja. Jeta e ka treguar më së miri, fëmijët e agallarëve nuk bëhen sportistë, fëmijët e hallexhinjve po.

Dua gjithashtu të uroj gjithë shqiptarët për festat e fundvitit. Uroj sa më shumë mbarësi për të gjithë!

Intervistoi: Bleona Hoxha 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Selvia, ZEMRA e Njësisë nr.8

Blendi Nallbani është padiskutim një ndër figurat më të njohura, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në progresin e futbollit shqiptar. Ish-portieri i Tiranës dhe Partizanit, i cili gjatë karrierës së tij veshi fanellat e dy skuadrave kundërshtare të kryeqytetit, vjen këtë herë në një intervistë ndryshe, për […]