Kuvendi në seancë plenare/Fjala e deputetit Ervin Bushati

Bleona Hoxha
Read Time7 Minutes, 10 Seconds

Deputeti i Partisē Socialiste dhe njëherazi anëtari i i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave mbajti ditën e sotme fjalën e tij në seancën plenare të radhës. Deputeti relatoi rreth pr/ligjit ‘Për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI)’

Më poshtë fjala e plotë e deputetit:

Të nderuat kolegë dhe qytetarë!

Sot miratojmë  një huamarrje, një mënyrë financimi të përshpejtuar nga FMN-ja në fondin 175 mln euro sepse financimi i ekonomisë është e vetmja rrugëdalje nga kriza e pandemisë botërore që na ka zënë.

Deri më sot kemi patur rastin që ekonomia ka financuar shtetin nëpërmjet taksave dhe mbështetjes që jepet nga bizneset, por sot duhet që nëpërmjet financimit të ekonomisë, ne ta shpëtojmë atë. Sot është momenti dhe pas krizës së tërmetit me fondet e rindërtimit dhe me mënyrat e financimit antiCovid, t’i japim një impuls të ri ekonomisë shqiptare. Kriza botërore që ka prekur sot të gjitha tregjet dhe natyrshëm ka bllokuar dhe ekonominë shqiptare si të lidhur me gjithë këto tregje në një mënyrë integrale të patjetërsueshme, mund të ndihmohet vetëm nëpërmjet financave. Aktori më i madh dhe më i fuqishëm sot në treg i cili duhet të ndihmojë ekonomitë të dalin kjo gjendje është shteti. Në çdo vend të botës çdo shtet, çdo institucion si BB, FMN-ja dhe ashtu edhe BE-ja, kanë vendosur që të dalin nga kjo krize me të vetmen mënyrë të mundshme, që është financimi. Financat dhe ekonomia janë si dy këmbë të të njëjtit trup që ecin përpara dhe ky është momenti kur duhet të hidhet përpara këmba e financës për të ndihmuar ekonominë në mënyrë që shoqëria, pra trupi ynë i përbashkët, të mund ta kalojë këtë fazë pa plagë, të mbyllim pasojat shëndetësore dhe të vazhdojmë përpara të ndihmojmë biznesin shqiptar.

Ne kemi patur dakordësinë edhe të opozitës në komision kur është diskutuar ky projektligj sepse çdo linjë financimi sot është si uji në shkretëtirë për ekonominë shqiptare. Ajo që kërkohet është që dy planet e mëdha, pra rindërtimi dhe masat antipandemi të fillojnë të kapilarizohen në ekonominë shqiptare nëpërmjet investimeve që duhet të nisin sa më shpejt. Paketat e solidaritetit shoqëror ne si mazhorancë i kemi patur në zemër sepse janë masa e parë që janë marrë e do vijojnë të merren në çdo moment, por nëpërmjet investimeve dhe financimeve mund të vazhdohet të rritet ekonomia, të mbahet punësimi dhe të punojnë bizneset shqiptare. Njerëzit duhet të dalin dhe të punojmë sepse nuk ka zgjidhje reale që njerëzit të qëndrojnë  në shtëpi dhe ne të kthehemi një shtet si në komunizëm që të financojmë qytetarët. Vetëm financimet e ristartojnë ekonominë.

Duhet të kemi një strategji të re zhvillimore. Ajo që kemi parë ditët e fundit si në SHBA, është një ndërhyrje masive gati 30% në raport me GDP-në, apo plani i fundit i BE, marrëveshja Macron-Merkel që flet për ndërhyrjen e shtetit në ekonomi me investime masive. Ajo që kemi parë ka qenë lindja e qeverisë evropiane.

E njëjta gjë duhet përqafuar sa më shpejt në Shqipëri. Duke parë çfarë po ndodh sot në botë, është mundësia që të harmonizohen strategjitë e reja zhvillimore që po përdoren dhe po përçohen nga BE që kanë të bëjnë me teknologjitë ‘Green’ apo teknologjia e një ekonomie e cila është më produktive, dëmton më pak mjedisin, promovon turizmin dhe shkon drejt ‘Net zero economy’, pra të mos ndosim mjedisin. Në fakt Shqipëria është shumë afër këtyre parametrave. E kemi dhe nga trashëgimia. Në Shqipëri nuk ka ndotje të mjedisit si në vende të tjera sepse edhe energjia është e gjitha e prodhuar nga hidrocentralet. Nëse ekzekutivi fillon të futet në këto kuota, shumë shpejt do fillojnë të tregtohen kuotat e karbonit. Ky do jetë një moment kur Shqipëria të identifikohet si një vend që e respekton mjedisin dhe është i hapur për një turizëm ‘green’, një ekonomi ‘green’ dhe kjo do jetë në nivel strategjik.

Ne jemi shumë afër këtij, por duhet përkthyer në masa konkrete dhe duhen vendosur standarde konkrete dhe Shqipëria duhet të dalë në hartën e një ekonomie që është ‘net zero’ në finale, pra nuk dëmton ambientin dhe nuk ka emetime të karbonit në atmosferë. Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të jetë një partner i besueshëm dhe nesër do të mund të përfitojë nga shumë fonde që do të jenë të adresuara dhe të harmonizuara me këtë strategji që është paralajmëruar nga BE para se të ndodhte kriza ‘Covid’. Pra, risia e kësaj administrate në BE ka qenë promovimi i një ekonomie ‘net zero’ apo ‘green’ në të gjithë Evropën.

Një Shqipëri e pastër dhe një ekonomi e pastër nuk është vetëm në funksion të mjedisit, turizmit apo një jete më të mirë, por dhe në funskion të ekonomisë sepse është ajo që po promovohet sot dhe po përpiqet në të gjithë botën në mënyrë të sinkronizuar të bëhet një shkëputje finale nga energjia e fosilit dhe dalje në ‘net zero economy’.

Prandaj, iniciativa të tilla dhe investime të tilla në ekonomi duhet që patjetër të harmonizohen me një strategji të re zhvillimore të Shqipërisë.

Strategjia e re ‘Green Albania’ duhet patjetër të jetësohet nga ekzekutivi, të miratohet nga Parlamenti që nesër çdo masë që merret dhe çdo investim në emër të popullit duhet që të jetë në sinkron me strategjitë më të reja zhvillimore sepse Shqipëria i ka mundësitë si një ekonomi e vogël dhe që mund të ndryshojë shpejt. Shqipëria ka dhe mundësitë që të dalë si lider evropian lidhur me ‘green economy’. Vendi ynë ka sot shumë pak ndotje për shkak të industrisë së ekonomisë që ne e kemi zero me karbon, gaz apo qymyr, për shkak dhe nivelit të ulët të industrializimit, si edhe kështu mund të promovojmë mjedisin dhe turizmin.

Nga studimet e OECD-së flitet që vendet në zhvillim dhe që duan të dalin nga kriza, do ta rrisin nivelin e borxhit nga 86-130% në raport me GDP-në, për të mos folur për vende si Italia apo Greqia që e ka 200% në raport me GDP-në. Ortodoksia fiskale që kemi zbatuar deri më sot, pra duke i qëndruar rregullave dhe duke zbatuar gjithçka që ka thënë FMN-ja, Shqipëria ka qenë një ndër nxënësit më të mirë. Kemi patur një defiçit buxhetor dy herë më të ulët se rritja ekonomike, pra kemi kursyer dhe nesër jemi të besueshëm në tregjet financiare. Ky është momenti kur qeveria duhet të dalë në tregje financiare. Nuk ka asgjë nëse qeveria del me dyfishin e eurobondit. Kemi dalë me një eurobond 500 milion, mund të dalim me një eurobond 1 mld euro nesër. Fondet janë dhe sot ka interesa negative sa i përket parasë. Paratë janë në treg, ka një bllokim të momentit dhe nesër do ketë financime, por ne duhet të jemi kredibël në këtë pikë.

Sjellja që ka bërë qeveria shqiptare duke ndaluar pandeminë dhe duke mos patur viktima sepse nëse do flisnim sot për tragjedi njerëzore, nuk do mund të flitej fare për ekonomi dhe kjo tregon që është një shtet serioz që ka ditur të mbrojë popullatën dhe nesër do hyjë në zonat jeshile. Ekonomia në të ardhmen do fillojë të klasifikohet me zona. Zonat e kuqe si Italia dhe Spanja nesër do e kenë më të vështirë turizmin dhe një zonë jeshile si Shqipëria do mund të hapet shumë më shpejt me turizmin, pra janë të lidhura bashkë. Sa më të besueshëm të jemi në ruajtjen e shëndetit dhe ortodoksinë fiskale, patjetër që nesër do mund të rrisim ekonominë dhe financat sepse kjo e fundit do shpëtojë ekonominë shqiptare.

Faleminderit!

 

Video e plotë:

https://youtu.be/vRFyOnHEVfc

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Bushati:Admironi Shqipërinë këtë verë

Deputeti i Partisē Socialiste dhe njëherazi anëtari i i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave mbajti ditën e sotme fjalën e tij në seancën plenare të radhës. Deputeti relatoi rreth pr/ligjit ‘Për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit […]