Koalicioni me njerëzit vs koalicioni me dhunën

Editor
Read Time6 Minutes, 8 Seconds

Prej disa ditësh ka nisur fushata derë më derë e Partisë Socialiste në Njësinë nr. 8, dorë më dorë e zemër më zemër për të informuar qytetarët për punët e kryera gjatë katër viteve dhe ato që do kryhen në mandatin e ardhshëm. Gjithashtu, po i kushtohet vëmendje e plotë për problemet sado të vogla të çdo banori.

Takime që nuk bien shumë në sy, fushatë e thjeshtë e pa shumë bujë mediatike, Zemra e Tiranës po i jep shumë rëndësi njerëzve të zakonshëm, mendimeve dhe këshillave të tyre. Nuk kanë qenë të pakta rastet e konsultimeve me banorët nga ku janë realizuar vepra në të mirë të komunitetit. Takime me të moshuar, të rritur e votues për herë të parë që shohin dhe prekin ndryshimet e arritura. Pavarësisht bindjeve politike një pjesë e madhe e banorëve të Njësisë nr.8 e pranojnë hapur se jeta e tyre është përmirësuar në këtë zonë.

Është edhe një pjesë tjetër e qytetarëve, të cilët historikisht kanë votuar për të djathtën dhe do vijojnë ta votojnë. Ata ndjehen të braktisur dhe të papërfaqësuar dhe kjo jo për fajin tonë, por për kapriçot e liderit (nëse mund ta quajmë kështu) demokrat. Shpesh, në takimet me këta qytetarë të nderuar dëgjohen fjalët: “Duam të votojmë”. Madje, në mungesë të kandidatit nga partia që ata kanë besuar deri më sot, ata janë interesuar edhe për kandidatët e tjerë për Tiranën, megjithëse punën e Bashkisë Tiranë në Zemër të Tiranës nuk mund ta hedhin poshtë.

Deputeti Ervin Bushati gjate takimeve ne njesine 8

Nga takimet e kryera deri sot kuptohet objektiviteti i banorëve të Njësisë nr.8 për investimet dhe qartësia për vazhdimësinë e projektit transformues. Pjesa që dhëmb më shumë është “vrasja” e votës së demokratëve. Me shumë mundësi vota e tyre do të mungojë, kjo për shkak të bindjes politike apo pakënaqësive, të cilat nuk duhen gjykuar, por pjesa dërrmuese nuk do të ketë mundësi të shprehet me votë për shkak të sjelljes amatoreske politike të opozitës.

Megjithatë, Partia Socialiste po vijon koalicionin e saj me njerëzit e thjeshtë, dëgjon dhe punon për ta. Një koalicion i fortë, i qëndrueshëm që sjell gjithmonë përmirësim të të mirave publike. Për herë të parë një parti politike në Shqipëri është bashkë me popullin dhe kjo duket se e tremb shumë kundërshtarin. Qytetarët janë në qendër të vëmendjes dhe janë motivi i qeverisë dhe bashkive për tu përmirësuar më tej. Zëri i tyre dëgjohet me respekt dhe pasqyrohet në investime e punë. Kjo shishet qartë edhe në Zemrën e Tiranës, ku  gjatë katër viteve janë investuar 9.6 miliard lekë apo 320% më shumë investime krahasuar me periudhën 2011-2015.

Ne e dimë që kaq nuk mjafton. Kjo është arsyeja pse jemi në cdo shtëpi të Njësisë 8, për të dëgjuar cdo zë që ndihmon në transformimin e zonës. Kujtojmë që kjo njësi ka qenë në harresë nga Bashkia Tiranë në kohën kur drejtohej nga Lulzim Basha, edhe pse vetë ai ishte votues në një prej qendrave të Zemër të Tiranës.

Takim ne Zemer te Tiranes

Investimet e kryera nuk kanë nevojë për reklamë, ato shihen cdo ditë nga banorët. Përmirësimi i infrastrukturës, rikonstruksioni shkollave, kopshteve dhe çerdheve, kënde lojërash, hapësira publike e shumë e shumë investime në vetëm katër vite. Në kaq pak kohë, kur jemi bashkë mund të bëjmë shumë, por kur jemi edhe më shumë është e paimagjinueshme se sa mund të ndryshohet jeta e gjithsecilit.

Koalicioni me veten (dhunën)

Duke e nisur këtë argumentim nga fundi, ajo që kuptohet qartë është mungesa e shpresës së opozitës. Shpresës se mund të ofrojë më mirë se kundërshtari, shpresës se mund të fitojë zgjedhjet. Nga kjo pikë fillon i gjithë rrugëtimi politik i opozitës gjatë këtyre muajve. Në pamundësi për të treguar veten si alternativë e kryetarëve aktualë të PS në bashki, në pamundësi për të krijuar një program sado të thjeshtë, ndoshta edhe të kopjuar nga kundërshtari apo mashtruar publikun siç rëndomë ka ndodhur nga kryetari i PD Lulzim Basha kur premtoi tramvajin, korsitë e biçikletave (mjaftojë këto), opozita është e vetmja arsye pse një pjesë e mirë e qytetarëve nuk do të mund të votojnë.

Sigurisht, një humbje tjetër e kryetarit të PD (nuk po llogarisim LSI-në, pasi nuk mund të quhet parti politike), do të sillte edhe më shumë pakënaqësi tek demokratët, të cilët do të kërkonin në masë largimin e tij nga forca politike që zgjoi shpresën e shqiptarëve në vitin 1991.

Dëshira e madhe për të qëndruar në politikë dhe për të pritur radhën për tu bërë kryeministër (anashkalojmë frikën nga reforma në drejtësi), shtyjnë Bashën për të ndërmarrë veprime që nuk dëmtojnë as qeverinë, as Edi Ramën dhe as Erion Veliajn, por vetëm Partinë Demokratike, Shqipërinë dhe Shqiptarët. Lulzim Basha e ka të qartë që këto zgjedhje vendore nuk do të mund ti fitonte dhe mendon se do ti vijë radha për tu ulur në karrigen e kryeministrit. Në rast se do të merrte pjesë në zgjedhjet vendore, një humbje do të ishte fatale dhe largimi nga drejtimi i PD do të ishte i sigurt. Për këtë arsye, është shpikur kjo skemë për të shmangur largimin Lulzim Bashës, i cili po qëndron prapa derës për një vend si kryeministër.

Këtë Lulzim Basha e di mirë, por ajo që kreu i PD ende nuk di është se me këtë sjelle politike, me vrasjen e votës së demokratëve do vrasë përgjithmonë edhe partinë aq të dashur për shqiptarët, që sot nuk përfaqëson askënd. Basha sot ndjehet i humbur, por nuk e di që kjo humbje në ëndrrat e gjumit të tij të thellë ku gjithmonë i shfaqet Berisha, do të jetë e pafundme.

Opozita e rrugës sot kërkon koalicion me veten për të marrë karrigen e pushtetit. O gjithçka ose asgjë. Ky është mesazhi që opozita i jep shqiptarëve. Kërkon me cdo kusht, me cdo mënyrë të rrëmbejë pushtetin në tavolinë dhe për këtë është e gatshme të djegë vendin dhe rrezikon themelet e demokracisë. Si asnjëherë më parë, opozita braktis parlamentin, praktis zgjedhjet dhe humbet në rrugë pa krye. Pa argumente,  pa strategji dhe pa vizion, me flamurin e shkatërrimit dhe djegies së vendit në dorë, vetëm e vetëm me një qëllim, marrjen e pushtetit me dhunë, ashtu sic e ka zakon, por kurrë më parë si sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Zgjedhjet/ Kolegji Zgjedhor lë në fuqi 30 qershorin

Prej disa ditësh ka nisur fushata derë më derë e Partisë Socialiste në Njësinë nr. 8, dorë më dorë e zemër më zemër për të informuar qytetarët për punët e kryera gjatë katër viteve dhe ato që do kryhen në mandatin e ardhshëm. Gjithashtu, po i kushtohet vëmendje e plotë […]