Intervistë për Fax News/ Bushati: Besimplotë që PS do të dalë sërish forcë e parë

Bleona Hoxha
Read Time3 Minutes, 55 Seconds

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati në një intervistë për Fax News foli rreth parapërgatitjeve për marrjen e një mandati të tretë, menaxhimin me sukses të pandemisē dhe raportit të DASH për vendin tonë.

Lidhur me marrjen e një mandati të tretë, Bushati deklaroi se nuk po kërkojnë asgjë të jashtëzakonshme, por marrjen e 74 mandateve, ashtu si në 2017-ën.

‘Partia Socialiste ka qenë gjithmonë forca më e madhe dhe më progresiste në Shqipëri. Ajo që ne do kërkojmë dhe meritojmë, është të rinovojmë kontratën apo besëlidhjen me qytetarët si dhe të kemi një target si në vitin 2017, pra të marrim 74 mandate. Mendoj që Shqipëria ka shumë punë për të bërë, por vetëm Partia Socialiste mund t’i bëjë.

Mos të harrojmë që Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë Zvicër, Itali apo Francë. Sigurisht ka shumë punë për të bërë, por e rëndësishme është të kuptojmë se kush është më i zoti dhe kush janë forcat më të afta që kanë përformancën më të mirë për ta çuar Shqipërinë përpara. Ne jemi të ndërgjegjshëm si qytetarë që nuk po zgjedhim Zotin mbi tokë, por një njeri që di të punojë dhe një njeri i cili do të mbarojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Evropë, ashtu siç kemi mbaruar një sërë reformash si ajo në Arsimin e Lartë, reforma Territoriale apo reforma ne Drejtësi. Jemi besimplotë dhe të sigurt që në këtë garë ne do të dalim të parët. Që mazhoranca do të jetë e PS-së dhe që kryeministër do të jetë Rama, për ne këto çështje janë te padiskutueshme’, deklaroi deputeti socialist.

I pyetur rreth raportit të DASH për korrupsionin, Bushati shprehu se kjo është një çështje që adresohet nga drejtësia.

‘Korrupsioni ka qenë një problematikë e kahershme e Shqipërisë dhe është diçka që mund të adresohet vetëm nga drejtësia. Ne i kemi hapur rrugë një procesi që kërkon kohë dhe ka ecur me hapa më të ngadalta se ato qe ne prisnim, por ne si politikë kemi larguar gravitetin, peshën dhe ndikimin e politikës në drejtësi. Sot drejtësia  me SPAK-un e krijuar dhe me institucionet e tjera të pavarura të drejtësisë, kanë të gjitha mundësitë për të sulmuar korrupsionin dhe shumë shpejt do të shohim veprimin e forcës së ligjit e cila është e vetmja forcë që mund të ndalojë korrupsionin. Shpresoj qe drejtësia të bëjë punën e saj dhe të tregojë forcën për të cilën është mandatuar’, pohoi kreu i PS-së për Tiranën.

Deputeti socialist foli edhe rreth përballimit me sukses të situatës pandemike dhe mbajtjes nën kontroll të shifrave të infektimeve.

‘Ne e dimë që ky është viti më i vështirë që ka kaluar Shqipëria që nga Lufta e II Botërore. Investimet publike janë mënyra për ta nxjerrë çdo ekonomi nga ngërçi ku ndodhet dhe qeveria ka bërë një punë shumë të mirë po të kemi parasysh tërmetin e shtatorit dhe atë të nëntorit. Ne kemi bërë të mundur që të nisë procesi i rindërtimit, të arrijmë të marrim mbi 1 Mld Euro për rindërtimin pas tërmetit dhe patjetër do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për të ringritur ekonominë edhe nga pasojat e pandemisë. Investimet kanë filluar dhe ne kemi inaguruar një sërë ndërtesash sociale, shkolla si edhe do të ndërtohen lagje të reja në zonat e prekura. Ky është një problem për gjithë botën dhe përderisa po diskutohen për probleme në investime dhe ekonomi në Angli, Gjermani apo Itali, kjo gjë me patjetër do të ndodhte edhe në Shqipëri. Por, të thuash qe tërmeti dhe pandemia janë faji i qeverisë, kjo është infantile. Sfida që mban mbi shpatulla qeveria, shteti apo dhe shoqëria shqiptare është e paprecedentë. Mendoj që I jemi përgjigjur në lartësinë e duhur po të kemi parasysh që shifrat e infeksioneve janë mbajtur nën kontroll duke u krahasur me vende të tjera me kapacitete shumë më të larta se tonat. Kemi patur 10 herë më pak viktima në raport me popullatën sepse kanë qenë masat e qeverisë dhe vendimmarrja e shpejtë në kohë, e cila ka bërë që Shqipëria të mos ketë vdekshmëri si në shtetet e tjera’, theksoi së fundmi deputeti Bushati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Kryeministri Edi Rama, vizitë zyrtare në Athinë

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati në një intervistë për Fax News foli rreth parapërgatitjeve për marrjen e një mandati të tretë, menaxhimin me sukses të pandemisē dhe raportit të DASH për vendin tonë. Lidhur me marrjen e një mandati të tretë, Bushati deklaroi se nuk po kërkojnë asgjë të […]