Grejsi e “Zemrës së Tiranës”, anëtarja më e re në Këshillin Bashkiak

Kledina Skëndo
Read Time4 Minutes, 18 Seconds

Grejsi, anëtarja më e re në Këshillin Bashkiak, e cila me energjinë qe e karakterizon dhe pasionin për të ndihmuar të tjerët, ka sjellë  një shembull suksesi për mijëra të rinj që e shohin me skepticizëm politikën.

Grejsi është  studente e degës së Informatikës, por teknologjia e informacionit nuk i ka vënë asaj barriera për të qenë më pranë komunitetit, madje përkundrazi, Grejsin e shohim kudo, diku duke ndihmuar të moshuarit, diku duke lexuar për fëmijët, diku duke organizuar aktivitete për të rinjtë e diku tjetër duke u kujdesur për mjedisin.

Është vetëm 20 vjeçe, por padiskutim është një model për tu marrë.

Ndonëse axhenda e saj është tej mase e ngjeshur, ajo përpiqet sadopak të gjejë kohë për të ndjekur edhe pasionet e saj, si çiklizmin apo leximin e librave. Humanizmi i Grejsit nuk kursehet jo vetëm kur bëhet fjalë për njerëzit, por edhe ndaj kafshëve, ku për këto të fundit ajo shprehet se i falin shumë ngrohtësi.

Në këtë intervistë Grejsi do të na rrëfejë nisjen e rrugëtimit të saj drejt politikës e deri më sot, ku ajo bindshëm është përzgjedhur për të qenë pjesë e Këshillit Bashkiak dhe për të përfaqësuar zërin e qytetarëve.

1.Grejs, ta nisim që nga fillimi, që nga koha kur hodhët hapat e parë drejt politikës? Si ka nisur e gjithë kjo?

Fillimet e angazhimit tim në familjen e madhe socialiste kanë nisur që në gjimnaz, madje krejt rastësisht.

Vendosa t’i bashkohem një aktiviteti social që organizohej asokohe nga FRESSH dhe që aty nisa të angazhohem, por pa e ditur se do të arrij deri këtu. Një kushëri i imi më dha kurajo për të vazhduar më tej dhe sot i jam shumë mirënjohëse atij mbi të gjitha.

2. Ju kemi parë gjithmonë pranë deputetit Bushati dhe duke ndihmuar njerëzit në komunitet. Na thuaj disa nga nismat që ju keni ndërmarrë

Angazhimi im në politikë më ka hapur shumë dyer, por dua të theksoj se deputeti Bushati ka qenë një ndër suportuesit më të mëdhenj ndaj meje dhe ndaj gjithë të rinjve. E ndiej veten shumë me fat sepse prej tij unë kam mësuar shumë. Nismat që ne kemi ndërmarrë kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato sociale, sportive, kulturore, aksione pastrimi etj.

3.Pas tërmetit të 26 nëntorit ju kemi parë shumë aktive dhe gjithmonë duke ndihmuar të tjerët. Si ishte kjo eksperiencë për ju?

Tërmeti ishte një shok për të gjithë ne, nuk kam fjalë ta përshkruaj.

Menjëherë pas asaj fatkeqësie jemi organizuar në terren ku kemi qëndruar për tre javë, duke shpërndarë ushqime, batanije dhe veshmbathje për ata të cilët kanë pasur realisht nevojë. Gjatë punës në terren kam njohur dhe një mik të vogël, është rreth 5 vjeç, me të cilin kam ndërtuar një marrëdhënie unike, madje i kemi premtuar njëri-tjetrit që nuk do të ndahemi më.

Pra, fatkeqësitë ndonëse na copëtojnë zemrën, herë pas here shërbejnë edhe si katalizatorë mes njerëzve, na ngrohin zemrat dhe na bashkojnë.

4. Të mos lëmë pa përmendur edhe arritjen tuaj të rradhës, jeni anëtarja më e re në Këshillin Bashkiak. E shihni si një arritje personale këtë post apo ka diçka përtej kësaj?

Ndonëse të arrish një post të tillë është krenari për mua, unë në fakt këtë gjë nuk e shoh dhe nuk e kam parë kurrë si diçka për ego personale. E thashë edhe më herët, unë jam futur në politikë rastësisht, pa asnjë qëllim dhe më tej dëshira për të më ndihmuar më ka shtyrë të qëndroj dhe të vijoj në këtë rrugë që kam nisur. Të ndihmosh ata në nevojë dhe të bësh të tjerët të lumtur shkon përtej çdo posti që mund të të ofrohet në jetë.

 

5. Si e shini angazhimin e të rinjve në politikë dhe çfarë mesazhi do të doje të përcillje tek ata që e shohin me skepticizëm një gjë të tillë?

Ashtu siç ka mbetur në zhargonin e përditshëm shprehja se “Të rinjtë janë e ardhmja e këtij vendi”, unë besoj fort dhe po punoj fort për ta vërtetuar një gjë të tillë. Mendoj që kemi kapacitetin, informacionin, energjinë dhe pasionin e madh për të qenë pjesë e vendimmarrjes jo vetëm në politikë, por në çdo fushë të jetës. Ndoshta tani është ende herët për të folur për këtë, por mendoj që koha do të tregojë se me futjen e të rinjve në politikë, qeveria aktuale ka bërë gjënë më të mirë të mundshme.

Intervistoi: Bleona Hoxha/’Zemra e Tiranës’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Amnistia/Rama: Lirohen 28 gra që vuajnë dënimin

Grejsi, anëtarja më e re në Këshillin Bashkiak, e cila me energjinë qe e karakterizon dhe pasionin për të ndihmuar të tjerët, ka sjellë  një shembull suksesi për mijëra të rinj që e shohin me skepticizëm politikën. Grejsi është  studente e degës së Informatikës, por teknologjia e informacionit nuk i […]