Gjermania thirrje vendeve të BE-së: Miratoni çeljen e negociatave me Shqipërinë

Kledina Skëndo
Read Time2 Minutes, 20 Seconds
Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, në prag të ministerialit të BE-së, i jep çmim kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe bën thirrje për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për DW, qarqe qeveritare nga Berlini kane thënë se Bullgaria ende nuk po tregon gadishmëri për të zhbllokuar procesin e çeljes së negociatave me Maqedoninë e Veriut.  
 
Hapja e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kthyer në një nga sprovat e kryesisë gjermane të BE-së. Në një deklaratë për mediat ministri i shtetit për Evropën, Michael Roth, u bëri thirrje kolegëve që të miratojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 
 
“Sot do t’i informojë koleget dhe kolegët e mi për procesin e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë. Është në interesin e BE-së që të fillojmë negociatat me këto dy vende. Shpresoj që të gjithë koleget dhe kolegët nga të gjitha vendet anëtare të ndërgjegjësohen për këtë interes të përbashkët dhe të jenë të gatshëm të bëjnë përparime pragmatike dhe solidare në kuptimin më të mirë të fjalës. Procesi i anëtarësimit nuk duhet të bëhet peng i kërkesave të anëtarëve të veçantë.”, ka thënë ndër të tjera Roth.  
 
Thirrja e Michael Roth shkon aktualisht në emër të Bullgarisë, e cila po pengon procesin e zgjerimit të BE-së me Maqedoninë e Veriut, për shkak të një grindjeje me vendin fqinj për çështjen e përkatësisë historike të kulturës dhe gjuhës maqedonase. Për shumë vëzhgues në Berlin, qëndrimi i Bullgarisë është i pa arsyetueshëm, sidomos nisur nga fakti që Maqedonia e Veriut e bëri një lëshim në identitetin kombëtar të saj, pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit. Berlini është përpjekur para ca kohësh që të arrijë një kompromis mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por deri tani pa sukses. Edhe sot, qarqet qeveritare nga Berlini i thanë DW se deri tani Bullgaria nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj bllokues.
 
Ndërkohë Gjermania nuk ka reshtur së inkurajuari kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev , që ta mbajë shtetin e tij në rrugën e BE-së, megjithë këto humbje që ka pësuar vazhdimisht. Inkurajimi më i fundit erdhi të hënën, në 16.11.2020, kur fondacioni i afërt me partinë socialdemokrate gjermane, Friedricht Ebert, i akordoi kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, çmimin për të drejtat e njeriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Leonardo Di Caprio poston sërish foto të Vjosës

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, në prag të ministerialit të BE-së, i jep çmim kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe bën thirrje për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për DW, qarqe qeveritare nga Berlini kane thënë se Bullgaria ende nuk po tregon gadishmëri […]