Fokusi i Qeverisë/Bushati: Rindërtimi, Integrimi dhe Reforma në Drejtësi. Hallet e opozitës… janë të opozitës vetëm

Bleona Hoxha
Read Time4 Minutes, 4 Seconds

Deputeti socialist, Ervin Bushati ishte i ftuar në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ku foli rreth manifestit të organizuar nga presidenti, Kongresit të Partisë Socialiste si edhe për mandatin e tretë, si një besëlidhje që Partia Socialiste do të kërkojë nga qytetarët.

“Rindërtimi i Shqipërisë, integrimi në BE dhe vazhdimi i Reformës në Drejtësi janë prioritetet tona, sepse këto janë hallet e vërteta të shqiptarëve dhe sfidat për të ardhmen. Ne jemi fokusuar te puna jonë, ndërkohë që nuk mendoj se hallet e presidentit apo të një pjese të opozitës duhet të jenë sfidat e Shqipërisë”, deklaroi Bushati.

Më tej, i pyetur për manifestimin e organizuar nga Meta, Bushati shprehu se  presidenti merret me hallet e tij dhe jo të qytetarëve, pasi nuk i rri mirë kostumi i presidentit dhe kërkon hapësirë brenda opozitës.

‘Presidenti duhet të fliste për integrimin në BE, për ndërtimin e shtëpive të familjeve që janë dëmtuar nga tërmeti, për rritjen e të ardhurave të familjeve shqiptare dhe Reformën në Drejtësi, por për fat të keq, Presidenti merret me hallet e tij. Ndoshta Meta shikon hapësirë brenda opozitës për të funksionuar më mirë. Nuk e di se cila është gara brenda opozitës se kush do jetë kryeopozitari, por këto nuk janë çështje të mazhorancës dhe aq më pak nuk mund të jenë çështje të qeverisjes. Ne përveç se një parti politike dhe një forcë që në fakt është forca më e madhe potenciale në Shqipëri, kemi dhe përgjegjësinë e qeverisjes. Nuk mund të kemi vetëm deklarata dhe fjalë, por duhet të kemi dhe punë”, shtoi deputeti socialist.

Lidhur me Kongresin e PS-së, Bushati tha se ishin ditë dedikuar çështjes së grave në Shqipëri, organizimit të PS-së dhe organizimit të FRESH apo strukturave rinore.

Një aspekt me rëndësi të cilën kreu i PS-Tiranë nuk la pa përmendur, ishte dhe kërkesa për një mandat të tretë që Partia Socialiste do të kërkojë nga qytetarët.

‘Do të kërkojmë një mandat të tretë për të vijuar reformat. Në mandatin e parë ne hodhëm themelet ku nisëm ndryshimin e Shqipërisë, në mandatin e dytë ne kemi nisur dhe po zbatojmë reformat ndërsa mandati i tretë do jetë një mandat i integrimit të Shqipërisë në Europë, i konsolidimit të ekonomisë, si edhe patjetër kthimin e Shqipërisë drejt të ardhmes. Mos harrojmë se Shqipëria në 30 vite ka arritur shumë. Është një vend që nuk ka njohur demokraci funksionale, shtet ligjor, shtet të së drejtës apo dhe ekonomi të lire tregu, pra kapitalizëm. Të gjitha këto sfida  që shohim për Shqipërinë duhet të jetë fokusi dhe çështje kryesore e politikës dhe jo se si duhet të  jetë roli i presidenti në një Republikë Parlamentare, ku përveç se duket një debat shterpë dhe ideologjik, nuk ka të bëjë me realitetin e qytetarëve shqiptarë. Nëse Presidenti mendon se  Shqipëria mund të ishte më mirë si Republikë Presidenciale, kur të bëhet kryetar i PD-së apo LSI-së, mund të dalë dhe të krijojë një axhendë politike, ku të kërkojë që Shqipëria të kthehet nga Republikë Parlamentare në Republikë Presidenciale apo Monarki. Por, jam i sigurt se njerëzit nuk kanë për ta pëlqyer dhe as nuk do ta ndjekin pasi nuk janë hallet e tyre, por janë hallet e presidentit”, pohoi Bushati.

Më tej deputeti socialist tha se nëse do të komentonte si qytetar i thjeshtë, e gjithë  kjo do të ishte si një martesë e detyruar, ku palët nuk dinë se kush është bashkëshorti dhe kush është bashkëshortja në këtë situatë.

“Pra këto janë çështje të brendshme të opozitës. Nëse ka një garë brenda opozitës, nëse do të jetë Monika Kryemadhi, Sali Berisha, Ilir Meta apo Lulzim Basha kryetar i opozitës, këto nuk janë çështje të mazhorancës dhe aq më tepër nuk dihet të kthehen për asnjë moment në një pengesë  për qeverisjen. Nëse qeverisja merret vetëm dhjetë sekonda me këtë punë, i bie  të lërë një shkollë pa ndërtuar, një spital pa mjet apo të mos mbarojë një rrugë. Për asnjë moment qeverisja nuk duhet të merret me këto çështje të cilat janë të opozitës. Nuk mendoj se mazhoranca duhet ta heqë shikimin nga synimet e saj, pra nga Reforma në Drejtësi, rindërtimi i Shqipërisë pas tërmeti si dhe integrimi i Shqipërisë në BE”, theksoi së fundmi Bushati.

 

‘Zemra e Tiranës’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Programacioni në televizione/Bushati: ‘Mjaft’ me telenovela ku afishohet dhunë

Deputeti socialist, Ervin Bushati ishte i ftuar në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ku foli rreth manifestit të organizuar nga presidenti, Kongresit të Partisë Socialiste si edhe për mandatin e tretë, si një besëlidhje që Partia Socialiste do të kërkojë nga qytetarët. “Rindërtimi i Shqipërisë, integrimi në BE […]