“Drejtësia nuk ndalet nga dhuna”

Editor
Read Time8 Minutes, 30 Seconds

*Fjala e deputetit Ervin Bushati në senancën parlamentare dt.26.02.2019

Faleminderit, zonja drejtuese e seancës!
Të nderuar kolegë,
Të nderuar qytetarë që na ndiqni,

Sot miratojmë pavarësinë buxhetore të drejtësisë së re shqiptare. Në fakt, pavarësia ekonomike do të sjellë sot, do të bëjë të mundur lindjen e një drejtësie të re për qytetarët, për qytetarët e Shqipërisë që e meritojnë këtë ditë, sepse kanë pritur kaq gjatë me besim të plotë se drejtësia do të vijë më në fund. Nëse sot ne shikojmë se kjo drejtësi po lind me disa dhimbje, dhimbjet janë jashtë kësaj salle, ndërsa këtu ne miratojmë një drejtësi të pavarur për qytetarët shqiptarë. Ata që shkaktojnë sot dhimbje, kanë shkaktuar gjithmonë sa herë ka ardhur momenti për të dhënë atë që duhet për qytetarët: drejtësinë, zhvillimin dhe një jetë më të mirë për familjet e Shqipërisë.

Ajo që bën sot bashkë PD-në dhe LSI-në nuk është asnjë bazë ideologjike apo një ndarje programatike, sepse nëse nga një krah kemi një të majtë ekstreme si LSI-ja dhe nga krahu tjetër kemi një të djathtë ajo që i bën bashkë është gjithmonë pazari, ajo që i bën bashkë është se kanë frikë nga drejtësia, kjo drejtësi e re, e cila do t’i vërë para përgjegjësisë ata që kanë bërë zullume, nuk kanë sot asnjë bazë programatike, asnjë kundërshtim me maxhorancën, por kanë frikë nga drejtësia.

Sot ne miratojmë 400 milionë në ndihmë të strukturave të reja të KLP-së dhe të KLGJ-së të parashikuara në buxhetin e shtetit që është miratuar që në dhjetor të vitit të kaluar. Opozita jo vetëm që e ka bojkotuar këtë sallë që nga shtatori, por e ka humbur trenin për të qenë pjesë e reformave, për të votuar për qytetarët shqiptarë në shumë çështje të rëndësishme, jo vetëm buxhetin e vitit 2019 që parashikonte këto ndryshime për drejtësisë, jo vetëm për lojërat e fatit, jo vetëm për çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me bujqësinë, me drejtësinë, me shëndetësinë dhe me arsimin në Shqipëri.

Erdhën vetëm kur mendonin se mund t’ju digjeshin mandatet në fund të dhjetorit, ndërkohë që shkuan dhe në një akt të pashembullt dhe të pashoq dorëzuan mandatet, i dorëzuan ndoshta mandatet dhe PD-ja dhe LSI-ja pikërisht sot që do të vendoset për t’i hapur rrugë drejtësisë së vërtetë në Shqipëri. Gjithçka që ka bërë PD-ja dhe LSI-ja në një akt kolektiv bolshevik, që nuk ka lidhje me demokracinë dhe nuk ka precedentë në asnjë vend të qytetëruar të botës nuk është parë në asnjë demokraci dorëzimi në masë i mandateve. Dorëzimi në masë i punës, për të cilën janë votuar tregon dëshpërimin e vërtetë, është akt i një dëshpërimi politik, i cili vjen nga frika që kanë nga proceset e drejtësisë që sa po merr jetë këto ditë.

Në strukturat e reja të KLGJ-së dhe të KLP-së, duke u shtuar përkatësisht me 125 anëtarë dhe 65 për KLP-në ne mundësojmë pavarësinë e vërtetë funksionale dhe ekonomike të këtyre dy trupave, të mos jenë të varur më nga shteti, nga qeverisja apo nga maxhoranca. Për herë të parë kjo pavarësi ekonomike do të bëjë të munduar që ata të fillojnë dhe të operojnë, të jenë në funksionim të plotë për të dhënë drejtësi për qytetarët shqiptarë. Të gjitha argumentet që ka sjellë këto ditë opozita nuk janë thënë për herë të parë dhe nuk janë dëgjuar në sallën e parlamentit, para parlamentit.

Sot i shikojmë që përpiqen të flasin atje me mikrofon, ndërkohë që kanë pasur në dispozicion një vit për të ardhur në parlament dhe nuk kanë ardhur. Ai që është i zoti i bën të gjitha. Opozita duhet të ishte edhe sot në seancë, mund të ishte edhe nesër në protesta, mund të vazhdonte të funksiononte si të donte në çdo qytet, brenda, jashtë sallës, në komisione, në parlament, në qytete dhe në të gjithë Shqipërinë. Por ata kanë braktisur detyrën kryesore, ndërkohë që sot qahen për paratë që i jepen drejtësisë, për këto 400 milionë kanë më shumë se 2 vjet që marrin rrogat nga buxheti i Shqipërisë, i cili nuk paguhet nga Partia Socialiste, nuk paguhet nga maxhoranca, por mblidhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

Deputetët e PD-së dhe të LSI-së e kanë marrë rrogën kot. Ndërkohë sot për herë të parë që miratohet, aprovohet dhe funksionon drejtësia e pavarur nuk janë këtu në këtë sallë, të paktën të mbështesin reformën në drejtësi. Këto 400 milionë që po shpenzohen sot, në fakt janë investim i vërtetë mbi drejtësinë. Në opinionin tim si ekonomist ky nuk është shpenzim, por është një investim për drejtësinë, është një investim për të ardhmen. Janë 400 milionë lekë të shpenzuara më mirë në ndërtimin e shtetit shqiptar, 400 milionë lekë që shkojnë për drejtësinë e qytetarëve shqiptarë. Është vlerësuar nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë: nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga BE-ja, nga FMN-ja nga Banka Botërore, nga çdo institucion që vlerëson Shqipërinë se reforma në drejtësi është kryereforma që ka kryer shteti shqiptar, reforma në drejtësi nuk duhet të ndalohet për asnjë arsye dhe duhet të vazhdojë përpara me çdo kusht.

Reforma në drejtësi është e vetmja që garanton se më në fund proceset e drejtësisë të jenë të pavarura nga politika. Prandaj është e çuditshme që në një ditë kaq të rëndësishme, në disa seanca po kaq të rëndësishme që kanë pasur të bëjnë me reformën në drejtësi, me buxhetin, me çështje të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, opozita nuk ka marrë pjesë në asnjë nga seancat dhe në asnjë nga komisionet. Më vjen keq, nuk janë diskutuar në Kuvendin e Shqipërisë, nuk kanë pasur mundësi ndoshta, pse jo, edhe të përmirësohen shumë ligje, shumë iniciativa, shumë reforma, duke pasur edhe bashkëpunimin apo, pse jo, edhe opozitën e opozitës.

Opozita në definicion është për të kundërshtuar, duke qenë në minorancë, detyra e opozitës ndaj qytetarëve shqiptarë ka qenë të na bënin oponencë, që të kundërshtonin ligjet tona dhe nëpërmjet diskutimit ne ë arrinim dhe të kishim ligje më të mira për shqiptarët, por opozita nuk e ka pranuar për asnjë moment verdiktin e shqiptarëve, sepse nuk përkujdeset për qytetarët e vet, do vetëm të ketë karrigen e Kryeministrit, një karrige që nuk mund ta marrë dot me vota, sepse e di shumë mirë, ashtu si para një viti e gjysmë, prandaj përpiqet ta marrë nën tavolinë, ose në tavolinë atë që nuk e merr dot në kutinë e votimit.

Në qoftë se opozita do të ishte kaq e shqetësuar dhe në qoftë se opozita do të kishte dyshime do të kishte deklaruar qysh në shtator 2017. Opozita i njohu zgjedhjet, hyri në parlament, për herë të parë nuk ka pasur asnjë diskutim për rezultatin në një proces që ka qenë tërësisht i balancuar. Zëvendëskryeministri ka qenë i opozitës, ministri i Brendshëm ka qenë i opozitës, kryetari i KQZ-së ka qenë i opozitës, shumica e të gjithë ministrave që kishin lidhje me zgjedhjet prapë ishin të opozitës dhe pasi mbaruan zgjedhjet opozita nuk pati asnjë objeksion. Nuk kemi asnjë çështje të çuar për ndjekje penale, ndërkohë që kishin një zëvendëskryeministër, një ministër Drejtësie, që sot del dhe kundërshton, kishin edhe një kryetar të KQZ-së, që nuk e kundërshtuan për asnjë moment procesin zgjedhor. Po pse ndodhi kjo pikërisht tani?

Ajo që i bën bashkë LSI-në dhe PD-në nuk është bashkëpunimi, por është frika nga humbja, është frika nga drejtësia. Ata janë bërë bashkë jo se janë kundër maxhorancës dhe kundër Edi Ramës, por se janë kundër zgjedhjeve, se e dinë që humbasin në zgjedhjet e qershorit dhe kundër drejtësisë, që nuk mund të shmanget më. Atë që po themi ne, atë që po thotë maxhoranca, që po thotë PS-ja, ka gjetur jehonë, është përsëritur nga SHBA-ja, nga BE-ja, nga Gjermania, nga gjithë partnerët tanë që na kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të na mbështesin jo vetëm me mbështetje politike dhe me fjalë, por me programe, me para të taksapaguesve të tyre, të cilët i kanë investuar në Shqipëri.

Ashtu si në reformën në drejtësi, ashtu si në Kodin Zgjedhor e njëjta gjë ka ndodhur si me SHBA-në, si me BE-në dhe me Gjermaninë e cila me lekët e taksapaguesve gjermanë ka financuar për reformën zgjedhore dhe për një kod zgjedhor në Shqipëri, që kjo opozitë ka papërgjegjshmërinë ta miratojë këtu bashkë me ne.

Ndaj kolegë, ju ftoj ta votojmë këtë projektligj, të votojmë edhe gjithë ligjet e tjera, se pavarësisht presionit absurd që bën opozita jashtë dyerve të kësaj salle, ndjemi këtu me mandatin e qytetarëve, jemi këtu për të vazhduar reformat dhe për ta çuar Shqipërinë drejt Europës.
Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Foto+Video/ Gjimnazi “Partizani”, falenderim të veçantë për mësuesit

*Fjala e deputetit Ervin Bushati në senancën parlamentare dt.26.02.2019 Faleminderit, zonja drejtuese e seancës! Të nderuar kolegë, Të nderuar qytetarë që na ndiqni, Sot miratojmë pavarësinë buxhetore të drejtësisë së re shqiptare. Në fakt, pavarësia ekonomike do të sjellë sot, do të bëjë të mundur lindjen e një drejtësie të […]