Çfarë ka ndodhur më 8 qershor?

Editor
Read Time4 Minutes, 51 Seconds

65 – Hebrenjtë ngrenë krye ndaj pushtimit romak. Ata marrin kalanë Antonia në Jerusalem. Kalaja ishte ndërtuar rreth vitit 19 pes nga Herodi i Madh si përkushtim për Mark Antonin, mbrojtësi i tij. Kalaja ishte ngritur mbi rrënojat e një fortese të hershme të Ptolemeut, themeluesi i dinastisë të Egjiptit pas vdekjes së Aleksandrit të Madh në 323 pes; dinasti e cila përfundoi me vdekjen e Kleopatrës së gjashtë dhe me pushtimin romak në vitin 30 pes. Tradicionalisht, mendohet se kalaja Antonia ka qenë vendi ku Pont Pilati morri në pyetje Jezu Krishtin, dhe ‘lau duart’ para kryqëzimit.

452 – Italia pushtohet nga Attila i hunëve. Por ai u ndal në Ravena, në përgjigje të përgjërimit nga Papa Leo i parë; të tjerë thonë se arsyeja më bindëse është se Atila u tërhoq për të kaluar Alpet para fillimit të dimrit dhe u vendos në atë që sot quhet Budapest.

632 – Në Medina (Arabi Saudite) vdiq profeti Muhamed – lindur rreth vitit 570. Mohamed njihet për bashkimin e Arabisë në një shtet të vetëm fetar sipas Islamit. Besohet nga myslimanët si i dërguar dhe profet i Perëndisë, dhe konsiderohet nga të gjithë myslimanët si profeti i fundit i dërguar nga Zoti për njerëzimin. Ndërsa jomyslimanët e shohin Muhamedin si themeluesin i Islamit, myslimanët e konsiderojnë si rivendosës të besimit origjinal monoteist të Adamit, Noes, Abrahamit, Moisiut, Jezusit dhe profetëve të tjerë. 

1789 – SHBA; James Madison paraqet në Dhomën e Përfaqësuesve një projekt-ligj për të Drejtat, si përgjigje ndaj kundërshtarëve, përfshi disa prej themeluesve të kombit, të cilët argumentonin se Kushtetuta nuk arrinte të mbronte parimet bazë të lirisë së njeriut. Dokumenti i njohur si “Billi i të Drejtave” u ndikua nga Deklarata e të Drejtave të Virxhinias, shpallur nga George Mason më 1776,; nga Karta angleze e të Drejtave më 1689; idetë e Epokës së Iluminizmit mbi drejtat e natyrëshme njerëzore, dhe dokumentet e mëparshme politike angleze si ‘Magna Carta’ (1215).

1815 – 39 shtete gjermane bashkohen në bazë të Aktit të Konfederatës miratuar nga Kongresi i Vjenës në vitin 1815 për të koordinuar ekonomitë e vendeve të veçanta gjermanisht-folëse dhe për të zëvendësuar ish-Perandorinë e Shenjtë Romake. Konfederata u shpërbë më 1866 për shkak të rivalitetit midis Prusisë dhe Austrisë, i njohur si lufta e dualizmit gjerman, si dhe nga paaftësia e shumë shteteve për kompromis.

1824 – Shpikësi Noah Kushing regjistron patentën e makinës së parë larëse – Quebec, Kanada

1829 – Pishina e parë publike jashtë Londrës hapet në Liverpul. Pishinat kanë një histori të gjatë që daton në vitet 2500 pes. Popullariteti i pishinave moderne mori hov në vitet 1800 me klube noti, dhe vazhdoi të rritet me fillimin e Olimpiadës moderne në vitin 1896 në Athinë, ku garat e notit u bënë pjesë e Lojrave Olimpike.

1917 – Walt Disney përfundon shkollën e mesme dhe fillon punë si karikaturist në gazetë. Ai u përpoq të shkonte në luftën e parë botërore, por nuk u pranua pasi ishte nën moshë. Pas këtij refuzimi, Disney bashkohet me Kryqin e Kuq. Ai u dërgua në Francë për një vit. Pas luftës, u kthye në Kansas dhe prej andej drejt Hollivudit. Më 18 nëntor 1932, Disney nderohet me çmimin e Akademisë së filmit për krijimin e karakterit të animuar, “Mickey Mouse”. Walt Disney pinte shumë cigare, pa pushim. Dhjetë ditë pas ditëlindjes së 65-të, më 15 dhjetor 1966, Disney vdiq nga kanceri i mushkërive. 

1942 – SHBA; Bing Crosby regjistron “Silent Night” (Natë e Qetë), këngë mbi lindjen e Krishtit, e kompozuar që në vitin 1818 në një fshat të Austrisë nga Franz Gruber me tekst të Joseph Mohr. Më 2011, kënga u shpall trashëgimi jomateriale kulturore nga UNESCO. “Silent Night” është regjistruar nga një numër i madh i këngëtarësh të çdo zhanri muzikor. Dorëshkrimi origjinal i këngës ka humbur. Megjithatë, një dorëshkrim u zbulua në vitin 1995, dhe tregon se Mohr i shkroi vargjet në vitin 1816, dhe Gruber e kompozoi muzikën në vitin 1818. Vargjet e këngës janë përkthyer në rreth 140 gjuhë. “Silent Night” u këndua në të njëjtën kohë në frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht nga trupat gjatë armëpushimit të Krishtlindjeve më 1914 gjatë Luftës së Parë Botërore – ajo ishte një këngë që njihej nga ushtarët në të dy anët e vijës së frontit.

1963 – Shoqata Amerikane e Zemrës bëhet agjencia e parë që ndërmerr fushatën kundër pirjes së duhanit.

1982 -. Ronal Reagan bëhet presidenti i parë amerikan që i drejtohet një seance të përbashkët të Parlamentit të Britanisë. Mes të tjerash Reagan tha: “… Ironikisht Karl Marksi kishte të drejtë; Ne sot jemi dëshmitarë të një krize të madhe, ku kërkesat e rendit ekonomik janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ato të rendit politik. Por kjo krizë nuk ndodh në botën jo-marksiste perëndimore (kapitaliste), por në strehën e marksizëm-leninizmit, Bashkimin Sovjetik. Është Bashkimi Sovjetik që shkon kundër rrjedhës së historisë duke mohuar lirinë e njeriut dhe dinjitetin njerëzor për qytetarët e vet. Bashkimi Sovjetik është gjithashtu në krizë të thellë ekonomike … “

1995 – Lufta në Bosnje; Piloti i forcave ajrore amerikane, Kapiteni Scott O’Grady shpëtohet nga marinsat amerikanë në Bosnje. Ndërsa fluturonte mbi Bosnje në mision luftarak, O’ Grady u detyrua për arsye teknike ta ulte aeroplanin në një rajon me popullsi serbe që konsiderohej nga NATO si territor armik. 

2001 – Kryeministri britanik, Tony Blair, u zgjodh për mandat të dytë kryeministër i Britanisë së Madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Dasma tradicionale tironse

65 – Hebrenjtë ngrenë krye ndaj pushtimit romak. Ata marrin kalanë Antonia në Jerusalem. Kalaja ishte ndërtuar rreth vitit 19 pes nga Herodi i Madh si përkushtim për Mark Antonin, mbrojtësi i tij. Kalaja ishte ngritur mbi rrënojat e një fortese të hershme të Ptolemeut, themeluesi i dinastisë të Egjiptit […]