BUXHETI: thjesht për Shqiptarët!/ nga Deputeti Ervin Bushati

administrator
Read Time12 Minutes, 33 Seconds

Të Respektuar qytetarë,

A e dini pse quhet Deficiti … Buxhetor, ndërsa Borxhi quhet Publik?! A e keni pyetur veten ndonjëherë: Pse Deficiti është Qeverisës, ndërsa Borxhi është Kombëtar?!I thjeshte, është thelbi i Buxhetit: Sepse merret nga qeveria POR paguhet nga shoqëria. Sepse merret nga politika për një vit, POR paguhet nga familjari për shumë vite. Thjesht: merret nga politikanet, por i “mbetet” shqiptarëve.

Kjo ishte Historia – deri në 2013!

Si Relator i komisionit të Ekonomisë dhe Financave për Buxhetin, jam kokëlartë kur paraqesim buxhetin 2017 që projekton një rritje ekonomike më të madhe se deficiti; Jam krenar të paraqesim një buxhet që për herë të parë e lë borxhin kombëtar -familjar- më të ulët se e gjeti një vit më parë. Për herë të parë shteti nuk fut dorën në xhepin e familjarit!

Tërësisht ndryshe, nga “normaliteti politik” i këtyre viteve: Për herë të parë rritja ekonomike është më e madhe se Deficiti Buxhetor: respektivisht +3.8% GDP, dhe -2%GDP. Tërësisht ndryshe nga lojërat politike me paratë e qytetareve: projektbuxheti 2017 ul borxhin kombëtar -atë të qytetarëve të familjeve shqiptare-  në një masë mesatarisht sa rritja ekonomike.

Ulja e borxhit për familjarët vitin tjetër e bën këtë një buxhet ekonomik, dhe jo buxhet elektoral; një buxhet për qytetarët dhe biznesin shqiptar dhe jo një buxhet për politikanët apo qeverinë. Atëherë natyrshëm lind pyetja: pse nuk është bërë më parë, apo pse u arrit pikërisht kjo, sot?! Thjesht: Reforma!

Reforma është kryefjala e Qeverisë, për një Shqipëri më të mirë; është Progresi, energjia e vetme pozitive për një shoqëri më të drejtë e më të zhvilluar ekonomikisht. Reforma, mundësoi për herë të parë në 25 vite tranzicion, që parametrat makroekonomik të dalin nga “Pavioni i Urgjencës Permanente”.

Sot “urgjenca” nuk shtyn më në kohë si përherë – “të domosdoshmen”. Në vite jemi ndeshur me realitetin e përsëritur ku na krijohen përherë të papritura, emergjenca; që shtyjnë pa fund rrugën e normalizimit dhe pastaj të zhvillimit ekonomik.

PROJEKTBUXHETI 2017 është dëshmitar, që për herë të parë shihet EKONOMIA SHQIPTARE NË NJË RRETH VIRTUOZ: kemi një rritje të kënaqshme, deficit shumë të vogël dhe borxh publik në trend ulje.

Gjatë tri viteve të fundit qeveria ka ndërmarrë një sërë reformash, si domosdoshmëri për të nxjerrë ekonominë nga kriza — duke pasur parasysh situatën kritike në të cilën u gjet vendi dhe financat publike në 2013.

Reformat në zbatim kanë prodhuar rritje ekonomike. Në të gjitha vendet e botës, politikanët e dinë se cilat janë reformat, e dinë si është ekonomia, por nuk e dinë a do të fitojnë dot zgjedhjet pas katër vjetësh se reformat duan mesatarisht më shumë se 4 vjet të fillojnë të japin dividentin, ta kthejnë investimin e tyre elektoral.

Shqipëria mori ftesën për hapjen e negociatave me BE- rezultat i reformave në DREJTËSI, ENERGJI, ADMINISTRATË PUBLIKE dhe FINANCA PUBLIKE. Ndërkohë, parametrat ekonomikë të stabilizuar dhe arritja e konsolidimit fiskal për herë të parë janë vazhdimësi e performancave pozitive të cilat na bënë të mundur çertifikimin nga partnerët strategjikë (BE,BB,FMN) të rritjes së pagave dhe investimeve për 2017.

Si relator i Projektbuxhetit 2017, besoj se ky do të jetë buxheti i:

  • Rritjes Ekonomike, e cila përshpejtohet +3.8% GDP, mesatarisht 4 herë më shumë se në vitin 2013. 
  • Deficitit buxhetor më të ulët në 25 vite:  2% GDP. 
  • Uljes së Borxhit publik nga 71.8% në 69.1% GDP.  
  • Rritjes së pagave dhe pensioneve, për herë të parë do të jenë 100 milionë dollarë në 12 muaj për këtë qëllim.
  • Investimeve Publike:  5% e GDP për këtë qëllim.

Reformat e thella strukturore janë arma e këtij Progresi. Reformat filluan ta japin efektin për dy vjet dhe po të mos kishim pengesën e mbrapshtë të opozitës, si te reforma në drejtësi, ku ligji për vetingun në mënyrë të papërgjegjshme, puberale, çohet nga drejtuesi i minorancës në Gjykatën Kushtetuese, këto reforma do të kishin efekte edhe shumë më të shpejta.

Projektbuxheti i vitit 2017 në mënyrë të veçantë mbështet rritjen ekonomike, financimin e mëtejshëm të reformave dhe rritjen e pagave dhe pensioneve. I dakordësuar edhe me FMN-në, si dhe me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë fokus i veçantë ka qenë impakti pozitiv si i investimeve publike, ashtu edhe i reformave, të cilat përkthehen në të mira dhe sherbime me cilesore për qytetarin; rezultat i punës se madhe të përbashkët të tri viteve të shkuara për të gjithë faktorët.

Është viti i parë që projektbuxheti hartohet sipas kërkesave të ligjit të ndryshuar për menaxhimin e sistemit buxhetor, të miratuar në qershor të 2016-ës. Ai synon vënien në zbatim të këtyre kërkesave, ku vend të rëndësishëm zë zbatimi i parimeve dhe rregullave fiskale, që synojnë forcimin e qëndrueshmërisë së borxhit publik.

Politikat dhe treguesit e projektbuxhetit mbështeten në trendin e zhvillimit të ekonomisë së vendit në vite, zhvillimet ekonomike të deritanishme dhe ato të pritshme për vitin 2016, si dhe pritshmëritë për zhvillimin afatmesëm, për të realizuar objektivat e programuara.

Certifikime ndërkombëtare: janë minimalisht 4!

1. “Standard and Poor’s” në tri vite të qeverisë sonë, performanca e përmirësuar e ekonomisë shqiptare, edhe në termat e stabilitetit dhe besueshmërisë për kreditorët e huaj, është reflektuar dhe certifikuar nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare, në të gjitha raportet që ato prodhojnë, si FMN, EBRD, WB, “Doing Business”, KE etj.

Në tri vite Standard and Poor’s ka rritur vlerësimin për ekonominë shqiptare nga B- në B dhe B+, me parashikimin stable. Në gusht 2016, Standard and Poor’s rikonfirmoi ranikimin e saj, duke certifkuar me leximin e tyre, të gjithë faktorët që janë theksuar nga Qeveria më parë.

Kështu për S&P Shqipëria ka treguar një performancë të qëndrueshme ekonomike, në vazhdim të implementimit të programit të konsolidimit fiskal, i cili pritet të ketë vazhdimësi pozitive edhe në vitet në vijim, duke përjashtuar incidente politike. S&P vlerëson impaktin e reformave të deritanishme të pensioneve, energjisë dhe atë administrative të ndërmarra nga qeveria, duke përcaktuar reformën në drejtësi si një hap të rëndësishëm për të mbështetur zhvillimet pozitive në ekonomi. Po kështu ecuria e treguesve makro është pozitive, dhe fokusi vihet te rritja ekonomike e mbështetur nga rritja e konsumit.

2. EBRD-ja në raportin e fundit për vendet e rajonit, në nëntor 2016, rikonfirmon parashikimet tona për rritjen në 2016, në nivelet afër 3.4%-3.5%, e furnizuar kryesisht nga investimet.

3. Doing Business” e Bankës Botërore në raportin e fundit të klimës së biznesit, vlerësoi të gjithë hapat e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit të kaluar, duke e renditur vendin 32 pozicione më lart në klasifikimin global. Lejet e ndërtimit, pagesa e taksave dhe marrja e energjisë janë tre shtyllat kryesore që kanë ndikuar në këtë përmirësim, të tria reflektojnë prioritetet e qeverisë të përkthyera në masa konkrete ndihmëse dhe lehtësuese.

4. Progres raporti i Bashkimit Europian, thekson kthesën e ekonomisë shqiptare nga humnera e vitit 2013. Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë është padyshim raporti më i mirë dhe më realist që na është dhënë të lexojmë ndonjë herë për vendin tonë.

Për herë të parë kemi një trend të konsoliduar raportesh pozitive dhe largohemi përgjithmonë nga orvatjet e qeverisjeve të mëparshme, që fillimisht vlerësoheshin nga Komisioni Europian për reformat e iniciuara e më pas gërryheshin në raportet e njëpasnjëshme për moszbatimin e tyre.

Mund të themi qartazi se Shqipëria ka arritur këtë vit të njëjtin nivel vlerësimi që Komisioni jep për vendet që janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim.

Këtë vit, Komisioni u rekomandon qartësisht vendeve anëtare të Bashkimit Europian të pranojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë:

Shqipëria ka vazhduar të bëjë përparim të qëndrueshëm drejt përmbushjes të të gjithë pesë prioriteteve kyçe për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ndryshime thelbësore kushtetuese u miratuan njëzëri në korrik 2016, duke i hapur rrugë një procesi të plotë dhe gjithëpërfshirës për 5 reformën e sistemit gjyqësor. Ky proces do të përfshijë një rivlerësim të thellë të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Më lejoni të veçoj pjesën për ekonominë dhe financat publike:

Kriteri ekonomik. Për sa i takon kriterit ekonomik, vendi vlerësohet për progresin e kryer në zhvillimin e ekonomisë së tregut funksional. Progres shënohet në përmirësimin e balancës buxhetore, në luftën kundër informalitetit dhe reformimin e sektorit të energjisë elektrike. Rritja ekonomike u përshpejtua dhe situata e tregut të punës u përmirësua”.

Ndaj Sot, ju ftoj ju deputetë të këtij parlamenti, ftoj opozitën të votojë këtë Projektbuxhet:

Së pari, sepse reformat në financat publike janë përshëndetur nga të gjithë vlerësuesit ndërkombëtarë, si partnerët strategjikë, Banka Botërore, FMN-ja, BE-ja, por edhe nga ato të pavarura si “Standard&Poor’s”, “Moody’s”, që janë të gjithë objektivë: nuk varen nga qeveritë, por vetëm nga tregu. Këtë çertifikim apo këta partnerë nuk i kontrollon qeveria shqiptare dhe t’u thotë se do ta ulim normën e interesit se këta janë më të besueshëm! Teorikisht jemi më të besueshëm, aq më tepër për institucione që orientohen nga politika shumë më konservatore sesa ajo që NE kemi ardhur në pushtet. Standards & Poors’s dhe Mood’s certifikojnë se Shqipëria është shumë më e besueshme dhe sot i administron shumë më mirë financat publike.

Jemi një maxhorancë që i dëgjojmë partnerët dhe ata që japin vlerësime, jo si ju që i përzutë me dru. E kuptoj, keni detyrë të vështirë: por pikërisht prej kësaj, sot ne po paguajmë me pak se gjysmën e interesave që paguanit ju, dhe 3 herë më pak se borxhi i sindikuar – për rruget tuaja elektorele!

Së dyti, duhet ta votojmë këtë buxhet, për konsolidimin fiskal  dhe përgjegjshmërinë financiare që po tregon kjo maxhorancë. Instinkti politik i çdo force, aq më tepër i një maxhorance të majtë, është që të rrisë investimet, rrogat, pensionet, por kjo duhet balancuar me një përgjegjshmëri politike, që aq më tepër pas vitit 2013, kjo maxhorancë, kishte një fushë të djegur. Me thënë të drejtën, është burrëri e një maxhorance të vendosë një konsolidim fiskal dhe një përgjegjshmëri financiare të tillë, me një dorë të matur, dhe duke lëshuar pak nga ato ambiciet e veta ose instinkti i majtë që ne kemi për të rritur direkt, edhe investimet, edhe pensionet, rrogat, por nuk mund ta bënim, aq më tepër pas asaj që pamë në vitin 2013.

Së treti, votojeni sot buxhetin, për shkak të borxhit kombëtar të vënë nën kontroll dhe përparësisë që i jep biznesit pikërisht menaxhimi i borxhit kombëtar.  Menaxhimi më i mirë i borxhit kombëtar ndihmon jo vetëm shtetin, jo vetëm investimet, por ndihmon edhe vetë biznesin dhe sipërmarrjen shqiptare. Të gjitha borxhet që janë marrë nga kjo qeverisje, eurobond, janë një huamarrje jashtë tregut shqiptar. Pra, lë më shumë para për tregun e brendshëm që bizneset të shkojnë te bankat, të marrin kredi dhe të zhvillojnë ekonominë. Në vitin 2012 interesi për eurobondin ishte 7,84% , sot është 3,5%.

Si përfundim, nga të dhënat në raport me buxhetet e shkuara, të paktën për një gjë nuk do të akuzohet nga opozita: se ky është një projektbuxhet elektoral.
Mesatarisht 92% e investimeve ne 2017 janë Pune në proces, te kontraktuara nga ju! Ne nuk ngarkojmë me borxh shoqërinë sot për të financuar fushatën nesër!

Më në fund, kemi lajmin e mirë që kemi dalë nga rrethi vicioz: ku çdo projektbuxhet ishte elektoral, ndonëse ju na latë një barrë në kurriz në 2013. Një barrë prej 726 milionë dollarësh, borxhe të prapambetura që na e bënë kurrizin plagë dhe që falimentuan shtetin dhe buxhetin për 2013. Mirëpo, detyrimi për të shlyer borxhet është detyrim i qeverive, pavarësisht se nga çfarë aspekti politik vijnë ato: Kontrata, fillimisht zbatohet nga shteti – pastaj ja kërkojmë qytetareve ta mbajnë atë!

Sot në Shqipëri, si dhe në botë, po shohim një frymë Populizmi kundër Progresit. Kush i bën më mirë shoqërisë sonë këtu në Shqipëri?!

Në Ekonomi, ndryshe nga politika, jo çdo mjet justifikon qëllimin.

Dhe qëllimi ynë i përbashkët është të kemi të ardhura më të larta, më shumë mirëqenie për shqiptarët. Dhe qëllimi është i lartë, por a është mjeti i duhur ai që ju përdorët?!  Por a është i shëndetshëm “mjeti” që përdorët ju: borxhe dje, që paguhen nga fëmijët tanë nesër?!

Sot kemi dy rruge: Progres vs. Populizem. Pra, te kemi Mirëqenie dhe Zhvillim Ekonomik me pune dhe Reforma sot; apo me shume Borxhe Nesër – me miell hua sot? Çfarë është më e shëndetshme: të hedhësh kripë mbi plagët e trashëguara të shoqërisë sonë me retorikë populiste, apo sinqerisht të përpiqesh të shërosh sëmundjen e gjatë të një tranzicioni post-diktature që la një popull të varfër?! Akoma do ta gërryeni Gishtin në Plagët tona historike apo do të gjejmë Kurë ndaj Lëngimit duke pare te Ardhmen ne sy?!

A nuk duhet ti japim shqiptarëve PROGRESIN që konsiston në zhvillimin e ekonomisë, teknologjisë dhe shoqërisë?

A  nuk e kanë hak shqiptarët që vendi i tyre të drejtohet nga reforma social-ekonomike dhe jo nga “prioritete politike/elektorale”?!?

Apo nuk besoni te reformat që po çojnë përpara këtë vend dhe me populizmin tuaj përpiqeni ti ndalni e të ktheni orën mbrapa?

Mjaft e ndaluat të pandalshmen –PROGRESIN- të ndodhë! Mjaft e ndalët zhvillimin e kësaj shoqërie; qe meriton te jetoje ne harmoni dhe mireqenie socale ekonomike si miqte tane ne Europën tonë të përbashkët! Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Java e kulturës në Tiranë, aktivitete të shumta për të rinjë dhe fëmijë

Të Respektuar qytetarë, A e dini pse quhet Deficiti … Buxhetor, ndërsa Borxhi quhet Publik?! A e keni pyetur veten ndonjëherë: Pse Deficiti është Qeverisës, ndërsa Borxhi është Kombëtar?!I thjeshte, është thelbi i Buxhetit: Sepse merret nga qeveria POR paguhet nga shoqëria. Sepse merret nga politika për një vit, POR […]