Bushati: Ndërgjegjësimi social, ‘çelësi’ për hapjen e ekonomisë

Bleona Hoxha
Read Time4 Minutes, 52 Seconds

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ishte i ftuar në një intervistë ekskluzive për ‘Radio Televizionin Shqiptar’, ku paraqiti një pasqyrë të qartë të situatës aktuale dhe masave të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë shërbyer si barrierë në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të Covid-19.

Bushati deklaroi se ekonomia dhe financat publike janë sfida e ardhshme përpos asaj shëndetësore dhe se është detyra e qeverisë të ketë nën vëzhgim ekonominë.

‘Situata ka bërë që të kuptojnë të gjithë në botë se sa e lidhur është sot ekonomia globale, tregjet financiare dhe se çfarë mund të ndodhë sot e tutje nëse ka kriza të tilla. Duhet një investim i veçantë i qeverive në gjithë botën dhe masa të sinkronizuara në mënyrë që nga kjo krizë të mund të dalim sa më pak të dëmtuar si nga pikëpamja njerëzore, ashtu dhe nga ajo ekonomike.

Shoqëria është një zinxhir dhe si i tillë mund të këputet në hallkën e tij më të dobët. Kjo ka bërë që qeveria në radhë të parë të kenë nën kujdes dhe nën vëzhgim kategoritë në nevojë nëpërmjet ofrimit të ndihmës konkrete. Nga ana tjetër shpreh mirënjohjen për durimin dhe besimin e shoqërisë shqiptare, të cilët  i janë përshtatur situatës dhe masave të vendosura. Shqipëria ka nivelin më të ulët në Evropa përsa i përket raportit të vdekshmërisë në raport me popullsinë dhe kjo sigurisht është falë sinkronizimit të shoqërisë me masat e vendosura nga qeveria. Me kalimin e kohës masat do të jenë më të gjera dhe mënyra e hapjes së ekonomisë dhe biznesit do të bëhet hap pas hapi. Faza e panikut në Shqipëri është kaluar me së miri dhe në këtë formë do kalojmë dhe fazat e tjera gradualisht’, shprehu deputeti.

Bushati pohoi se ngjarje të tilla kanë efekte dhe sigurisht ekonomia është ndrydhur, por me nisjen e investimeve edhe rritja ekonomike do shkojë drejt  progresit.

‘Do fillojmë shumë shpejt investimet, pra direkt kemi fondet për rindërtimin që do kenë një impakt të menjëhershëm në ekonomi. Masat lehtësuese do merren në sinkron me këto investime të mëdha publike dhe ekonomia shqiptare do e marrë menjëherë veten.

Shqipëria është një aktor i besueshëm në arenën ndërkombëtare. Kemi një ekonomi që funksionon dhe kjo lidhet me  menaxhimin shumë të mirë të financave publike pasi rritja  ka qenë dyfishi i defiçitit buxhetor, gjë që nuk e sheh dhe në shumë vende të pasura. Të dalësh nesër në tregjet ndërkombëtare ku së pari ne kemi një paraqitje shumë të mirë politike në Evropë, pra jemi anëtarë ne NATO, kemi marrë ftesën për në BE dhe Reforma në Drejtësi, së dyti  kemi një menaxhim shumë të mirë të financave publike, pra siç e ka thënë FMN dhe Banka Botërore dhe së treti interesat në këto kohë do të jenë shumë të ulëta, këto patjetër qe janë faktorë favorizues për ne’, shpjegoi deputeti socialist.

Më tej, i pyetur për afatin kohor se kur qeveria do vendosë masa lehtësuese për qytetarët dhe bizneset, Bushati theksoi se gjithçka është në dorën e shoqërisë dhe faktit se sa e drejtë është ajo në respektimin e këtyre masave.

‘Masat duhet të jenë të sigurta  dhe shoqëria duhet të jetë e ndërgjegjësuar sepse gjithçka varet nga ato. Pra, sa më e ndërgjegjshme të jetë shoqëria, sa më shumë ta zbatojë distancimin social, sa më e kujdesshme të jetë me higjenën, sa më shumë të ulet numri i të infektuarve dhe sa më e civilizuar të jetë me lirinë që i jep qeveria, aq më të mëdha do jenë hapësirat për masat apo ekonominë për t’u zhvilluar. Qytetarët apo bizneset duhet të jenë  të drejtë në këtë pikë dhe duhet të mendojnë për zhvillimin në vend që të mendojnë për hilen. Nëse e bëjmë këtë, masat i kemi vetë në dorë. Nëse kontrollojmë sjelljen tonë, hapësira që do kemi nesër në mënyrën si do hapet ekonomia është në dorë të bizneseve dhe qytetarëve’, tha deputeti.

Lidhur me propozimet e opozitës ndaj qeverisë  për kapërcimin e situatës së pandemisë në vend, deputeti vuri në dukje se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po përpiqet ta kthejë në një luftë politike dhe aspak favorizuese për situaten ku ndodhemi.

‘Në PD ai që zgjohet i fundit është kreu i saj. Opozita vetëm fjalën ka, madje edhe atë nuk po e përdor si duhet. Opozita në Shqipëri është e vetmja në botë që del kundër qeverisë në këtë moment kur duhet të jemi të gjithë të bashkuar kundër këtij kërcënimi të përbashkët. Sot është koha të jemi bashkë, shifrat janë reale, por Basha nuk është shumë i saktë në përllogaritje matematikore.  Rezultatet janë nga më të mirat në Evropë dhe nuk ka arsye pse qeverisë t’i sugjerohen masa të tjera sepse çdo papërgjegjshmëri kushton jetë njerëzish. Opozita nuk duhet të ishte kundër qeverisë, por në krah të saj. Basha më mirë të zgjohej pas një viti dhe të mbante karrigen e kryetarit të PD-së sepse karrigen e kryeministrit nuk e mban dot’, theksoi së fundmi deputeti socialist, Ervin Bushati.

Intervista e plotë:

 

‘Zemra e Tiranës’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Bushati: ‘Familja e zemrës’, pranë njerëzve në nevojë

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ishte i ftuar në një intervistë ekskluzive për ‘Radio Televizionin Shqiptar’, ku paraqiti një pasqyrë të qartë të situatës aktuale dhe masave të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë shërbyer si barrierë në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të Covid-19. Bushati deklaroi se ekonomia […]