Bushati: Ekonomia do një Turbo-Financë!

Bleona Hoxha
Read Time7 Minutes, 27 Seconds

Deputeti i partisë Socialiste, Ervin Bushati ishte i ftuar në një intervistë për ‘ABC News’ ku foli rreth situatës ekonomike në vend dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për kapërcimin e krizës së shkaktuar nga pandemia botërore. Bushati shprehu se normaliteti i ri do të dojë kohë të stabilizohet dhe do masa të koordinuara mirë.

‘I pari vjen shëndeti dhe më pas ekonomia. Financat duhet të funksionojnë me turbo. Ne miratuam ligjin për Tregjet Kapitale. Mundësia që kapitali që është sot në treg dhe që ka, vetëm gjysma e atyre që kanë depozitat shqiptare në banka investohet, ndërkohë në vendet e tjera është 100%, pra gjysma e parave fle. Ne kemi bërë një ligj shumë të mirë, por do edhe vullnet politik. Flasim për gati 30% të ekonomisë që fle. Ka një potencial të fjejtur të madh në këtë treg kapitalesh që ne nuk kemi ditur ta shfrytëzojmë, por duhet edhe vullnet politik. Shumë nga këto kompani që janë sot publike duhet të listohen të parat dhe të merren ca masa mekanike. Ekonomia do një turbo financë. Ne jemi në parametra shumë të mirë dhe është momenti sepse duke patur dhe monedhën tonë, nje Bankë Qëndrore të pavarur, një vend qe e ka të ulët nivelin e borxhit, patjetër duhet shikuar me masa dy-tre herë më të mëdha se ato që mendojmë ne se mund të merren deri më sot. Ne fillimisht duhet të përthithim fondet e Rindërtimit.

Këtu qeveria ka një detyrë të dyfishtë sepse flitet për një shumë sa 10% në raport me GDP-në. Ne duhet të kemi gjithë instrumentat që të dimë t’i përthithim, pra të ecim me procedurat dhe investimet. Është detyrë patriotike sot të përthithësh këto fonde. Borxhi kombëtar mund të rritet shumë më tepër dhe nuk është ky momenti për t’u treguar dorështërnguar. Kur shoh këto projeksione mendoj qe ne si vend i vogël mund të dalim nga kjo situatë. Nëse dimë të punojmë mirë me parandalimin, mund që turizmi të kthehet në Shqipëri. Sot njerëzit po shohin zonat e gjelbërta për të pushuar.

Kemi një infrastrukturë te mangët që nga koha e pushtimit osman, pra kemi shumë punë për të bërë. Unë mendoj që duhet të ketë investime të mëdha dhe Shqipëria duhet të promovojë që është zonë e gjelbërt për të tërhequr turistë. Turizmi është një zonë super e stimuluar dhe Shqipëria është një vend që mund të mbijetojë edhe vetëm me turizëm’, shpjegoi Bushati.

Më tej deputeti shtoi se ditët që po kalojnë dhe situata shëndetësore ka qenë dhe vijon të jetë një test për shoqërinë.

‘Mendoj që fokusi ynë si qytetarë, politikanë dhe anëtarë të kësaj shoqërie, është që të ruajmë shëndetin dhe të jemi të vëmendshëm, të zbatojmë masat, të ruajmë shëndetësinë, ekonominë sepse një rikthim i fazës së parë të infektimeve do ta dëmtonte shumë jo vetëm situatën shëndetësore, por do ta thyente edhe besimin që kemi ndërtuar se mund t’ia dalim të gjithë bashkë për t’u hapur ekonomia dhe për të funksionuar. Çdo diversion me diskutime që janë Teatro-politikë dhe nuk iu shërben qytetarëve. Qeveria ka shumë funksione të cilat kanë vazhduar dhe kanë mbrojtur shoqërinë, kanë mbarëvajtur punën normale që nga Bashkia me heqjen e plehrave, policia, ushtria apo shëndetësia. Pra, janë një sërë funksionesh si të qeverisjes lokale edhe të asaj vendore që kanë bërë që puna të vijojë. Ka një fokus tek një gjë e caktuar, bën një mijë e një punë qeveria dhe në një nga kto i ka ngecur çengeli opozitës. Unë nuk pres që opozita të kthehet nga ana tjetër dhe të flejë gjumë. Opozita ka kthyer në çështje politike çdo vepër infrastrukturore që është bërë të Tiranë. Opozita nuk mund të bëjë rol bllokues  dhe të thyejë ligjin ndërkohë që ka të gjithë instrumentat politikë dhe  institucionalë për ta ndjekur çështjen.

Instrumenti politik që Basha mund ta përdorë është të thotë që premtimi im elektoral është që do kthej Teatrin siç ka qenë.

Instrumenti institucional është SPAK, KLSH, Avokat Populli dhe kur dalin ato me një përgjigje, nuk ka pse të thyhet ligji dhe të bëhen mbledhje të tilla të dëmshme për qytetarët për sa kohë jemi në situatë pandemie’, pohoi deputeti.

Bushati deklaroi se qeveria ia ka dalë mbanë më së miri në këtë fazë të parë.

‘Sot kemi shifrat më të ulëta në botë sa i përket infektimeve dhe vdekshmërisë. Ajo që është bërë ka qenë vendimmarrje politike. Korrelacioni i vetëm sot në botë ndërmjet vdekshmërisë dhe situatës që ka ndodhur, ka qenë vendimmarrja politike në momentin e duhur. Liderët dhe mazhorancat që janë vonuar në mbylljen e shoqërisë, kanë vuajtur 50 herë më shumë’, pohoi kreu i PS, Tiranë.


I pyetur rreth çështjes së Teatrit, Bushati tha se jemi në demokraci dhe jo të gjithë do jenë dakord, por nuk mund të bllokosh vepra.

‘Kështu mund të ndërrohen edhe spitalet, farmacitë apo stadiumi. Po flasim për Teatrin ndërkohë që e gjithë bota është në një luftë dhe po përpiqet të hapet ekonomikisht. Nëse e ka shqetesim legal opozita dhe artistët prishjen e Teatrit, le ta çojnë në Prokurori. PD-ja ka ngelur pa kauza sepse nuk ka me çfarë të merret dhe e kalon çështjen e Teatrit në politike.

Janë shumë çështje që kanë nisur pa hyrë pandemia të tilla si ‘Rruga e Arbrit’, ‘By-Passi i Vlorës’, ‘Rruga e Fierit’, spitali i ‘Urgjencës’, pra ka patur shumë çështje që kanë nisur shumë më herët. Në njëmijë vepra, opozita ka vendosur ta sjellë vëmendjen aty, por ka gjetur fokusin e gabuar. Në fund të ditës merret një vendim se kush nga investimet ka prioritet. Basha është ëndërrimtar, por nuk vë gjë në zbatim. Nuk votohen politikanët për projekte apo ëndrra. Kjo është kriza më e rëndë që është parë ndonjëherë në ekonominë botërore. Është duçka qe nuk e parashikonte askush. Ekonomia po bllokohet natyrshëm sepse është bllokuar dhe shoqëria.

Unë e shoh në tre faza situatën:

-E para është thyerja e valës së parë, pra rënia i atij pikut apo kurbës që ne e vumë nën kontroll

-E dyta është hapja e ekonomisë. Kjo është sërish në dorë të qytetarëve. Është e rëndësishme të zbatohen këto masa të vëna.

-E treta është siguria që vjen në momentin kur do dalë një kurë permanente apo një vaksinë. Parashikimet janë për një vit deri në daljen e vaksinës, pra duhet të mësohemi me këtë flamë.

Paratë nuk rriten në pemë dhe nuk ka qeveri që nuk nuk do t’iu japë para qytetarëve dhe t’i mbajë të lumtur. Paratë diku merren, pra të bizneseve që paguajne taksat dhe çohen diku tjetër. Ne sot kemi mundësi të dalim në tregje, te marrim ca kredi sepse jemi të besueshëm, të trefishohet sektori i ndërtimit, te shkojnë investimet në turizëm dhe në infrastrukturë. Kjo është e vetmja rrugë dhe më e sigurt kapitaliste që njeh  kjo botë,’ vuri në dukje deputeti socialist.

Lidhur me vendimin për heqjen e TVSh për blerjen e jahteve dhe mjeteve lundruese për stimulimin e turizmit në vend, Bushati tha se Kuvendi ka vijuar punën dhe e kemi kaluar këtë ligj.

‘Ligji është përgatitur para dy tre vitesh për një industri që nuk ekzistonte. Ne nuk e kemi shfrytëzuar asnjëherë detin dhe duam të bëjmë tanimë një gjë të tillë. Ne po bëjmë të mundur ndryshime, pra një paketë ligjore që të hapet industria e detit. Nëse nesër duan të vijnë jahte sepse nuk duan të udhëtojnë me avionë njerëzit, ne jemi gati. Është fakt që 10 bizneset më të mëdha në Shqipëri kanë paguar 11 herë më shumë se në kohën e Berishës përgjatë kësaj periudhe dhe kanë kontribuar në buxhetin e shtetit. Nuk ka oligarkë në Shqipëri sepse po kthehemi si në komunizëm me të tillë terma. Kur politizohen çeshtjet, nuk shkojnë tek i zoti i punës. Duhet t’i lëmë Prokurorisë te bëjë punën e saj’, theksoi së fundmi kreu i Ps, Tiranë.

Intervista e plotë:

https://youtu.be/2KZt-lSehyk

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

Rama, lajm me rëndësi për shqiptarët në shtetin grek

Deputeti i partisë Socialiste, Ervin Bushati ishte i ftuar në një intervistë për ‘ABC News’ ku foli rreth situatës ekonomike në vend dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për kapërcimin e krizës së shkaktuar nga pandemia botërore. Bushati shprehu se normaliteti i ri do të dojë kohë të stabilizohet […]