Askush nuk do të jetojë me frikë, thuaji `JO` dhunës ndaj grave

Editor
Read Time3 Minutes, 54 Seconds

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon barazinë ndërmjet burrave dhe grave, por në praktikë shpesh gratë nuk i gëzojnë njësoj të drejtat e tyre si burrat. Kjo pabarazi është e prekshme në shumë fusha të jetës.

 Jetojmë në një shoqëri, ku pavarësisht ndryshimeve pozitive e progresit të arritur, sjelljet  paragjykuese dhe modelet që nxisin veprime të dhunshme e diskriminuese, nuk mungojnë në përditshmërinë tonë.

Dhuna ndaj gruas është një problem kompleks që përfshin më shumë se sa një akt në vetvete në marrëdhëniet personale mes burrit dhe gruas. Është një problem social me përmasa të gjera që i ka rrënjët në qendrimet historike ndaj gruas dhe marrëdhënieve martesore. Viktimizimi i grave nga bashkëshortët e tyre përforcohet nga gjendja ekonomike, mentaliteti apo tradita.

Dhuna është një problem që prek të gjitha shtresat dhe grupet e shoqërisë, pa dallim race, etnie, niveli ekonomik, zone gjeografike, besimi fetar, moshe, etj. Nga të dhënat në nivel botëror, të mbledhura në dhjetë vitet e fundit rezulton se dhuna ndaj grave është një pengesë në proçesin e zhvillimit të shoqërisë njerëzore.

Dhuna ndaj grave është problematike në Shqipëri, në rajon dhe në mbarë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, një në çdo tri gra ka pëesuar të paktën një herë në jetën e saj dhunë të llojeve të ndryshme.

Nëse flasim për Shqipërinë, më shumë se gjysma e grave janë të dhunuara. Këtë e tregon studimi i kryer nga INSTAT “Femrat dhe meshkujt në Shqipëri, gjetjet kryesore”, të tetorit të këtij viti. Sipas këtij studimi, rezulton se më shumë se 59% e grave dhe vajzave në Shqipëri kanë pësuar të paktën një herë gjatë jetës dhunë në familje.  Sipas këtij studimi, me rritjen e moshës së grave ka një tendencë në zbritje të dhunës në familje ndaj tyre. Pra, nga 64% në grupmoshën 18-24 vjeç në 58% në grupmoshën 45-55 vjeç.

Në vendin tonë dhuna në familje u shfaq si problem shqetësues në vitet `90, kur vendi po përjetonte ndryshime të mëdha politike dhe shoqërore. Ndonëse si fenomen dhuna në familje kishte ekzistuar shumë kohë përpara tranzicionit, rastet e dhunës në famije pësuan rritje të ndjeshme në vitet `90, në kohën kur familjet pësonin trysni si pasojë e tranzicionit.

Në 1993, Deklarata e Vjenës dhe Programi për Veprim e përkufizuan dhunën ndaj grave si “një akt i dhunës me bazë gjinore që rezulton në dëmtim fizik, seksual, psikologjik apo vuajtje të grave apo kërcënim për akte të tilla, një shtrëngim apo heqje e paarsyeshme e lirisë, të cilat ndodhin në jetën private dhe atë publike”.

Në vitin 1995, dhuna ndaj grave u rendit si një nga dymbëdhjetë fushat kritike të shqetësimit të Platformës për Veprim të Pekinit, por raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, apo rishikime të tjera kombëtare të bëra në kuadër të njëzet viteve të zbatimit të kësaj platforme, tregojnë se pavarësisht nga përparimi, nivelet e dhunës ndaj grave dhe vajzave mbeten të larta dhe në një shkallë të papranueshme në mbarë botën. Zbatimi i ngadaltë dhe i pabarabartë i kuadrit ligjor kombëtar, vëmendja e pamjaftueshme kushtuar parandalimit të shfaqjes së dhunës, si dhe diskriminimi i vazhdueshëm, pabarazia gjinore, normat diskriminuese dhe stereotipet gjinore mbeten pengesa të mëdha për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

25 Nëntori ka hyrë në histori si Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave në takimin e parë feminist të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve që u mbajt në Bogota, Kolumbi, nga 18-21 Korrik 1981 ku gratë denoncuan dhunën gjinore. 25 Nëntori u përzgjodh për të përkujtuar vrasjen e motrave Mirabal më 25 nëntor 1960 nga diktatura e Rafael Trujillos, në Republikën Domenikane. Më 1999, 25 Nëntori u njoh zyrtarisht edhe nga Shtetet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës kundër Grave.

 Nëse do një botë më të mirë, një botë pa frikë për të jetuar thuaji “JO” dhunës ndaj gruas.  Shoqëritë në të cilat ka më pak dhunë kundër femrave janë dëshmuar si më të drejta dhe ekonomikisht më të suksesshme. Trajtimi i dhunës kundër femrave nënkupton investim në të ardhmen e të gjithë qytetarëve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Next Post

104 vjet Shqipëri e Pavarur 

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon barazinë ndërmjet burrave dhe grave, por në praktikë shpesh gratë nuk i gëzojnë njësoj të drejtat e tyre si burrat. Kjo pabarazi është e prekshme në shumë fusha të jetës.  Jetojmë në një shoqëri, ku pavarësisht ndryshimeve pozitive e progresit të arritur, sjelljet  paragjykuese […]